Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar se partia e tij nuk ka mundësi legale ta ndalë kryeministrin Albin Kurti nëse tenton ta bëjë marrëveshje të dëmshme.
“Ne edhe mund ta ngrehim zhag nga Kuvendi, po për ta ndalur prej këtij angazhimi nuk kemi mundësi, hapa legalë nuk kemi mundësi të bëjmë. Mund të jemi ende më të vrazhdë se ai”, tha ai në RTV Dukagjini.
Tutje, ai tha se në rast se nënshkruhet marrëveshja, Kurti nuk do ta sjellë atë në Kuvendin e Kosovës.
“Nuk besoj që Kurti do ta sjellë këtë marrëveshje në Kuvend, ashtu si nuk është votuar marrëveshja e Uashingtonit. Kurti po merr zotime dhe po merr veprime pa i sjellë në kuvend”, ka thënë ai.
Tahiri tha se PDK ka shprehur gatishmëri që të jetë pjesë e dialogut, por, sipas tij, LVV-ja nuk ka qenë e gatshme për një gjë të tillë.