Mosmarrëveshje para takimit Kurti-Vuçiq, problemi që pritet të paraqitet të hënën

Krerët e shteteve në Kosovë dhe Serbi, të cilët për herë të fundit u takuan në verën e vitit të kaluar, do të ulen sërish përballë njëri-tjetrit në Bruksel. Përpjekja për normalizimin e marrëdhënieve rinis të hënën me një takim ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq. Kurti është përgatitur që atë ditë t’i përmbahet propozimit europian, i cili megjithatë e ka brenda një “pikë shumë kontestuese”, siç është formimi i Asociacionit, për të cilin Vuçiq paralajmëroi se do të insistojë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të hënën në takimin që pritet ta zhvillojë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Ai tha të hënën se pret përparim në dialog mbi bazën e propozimit europian.

“Ne presim që edhe të ketë diskutime të mëtutjeshme, edhe të ecet përpara mbi bazën e atij propozimi. Mirëpo, për gjëra të tjera nuk mund të flasim tani për shkak se jo pak varet nga fascilituesit apo ndërmjetësit. Domethënë, pas ditës së hënë do të mund të dimë më shumë se çka e kur”, tha Kurti.

I pyetur nëse do të diskutohet për Asociacionin, Kurti tha se “duhet t’i përmbahemi propozimit që kemi marrur dhe jo interesit të njërës palë”.

Vuçiq, ndërkaq, po bëhet gati për diçka tjetër. Ai të martën komentoi deklaratat e fundit të Kurtit për Asociacionin, duke thënë se kjo temë do të diskutohet në takim.

“Sigurisht që do të jetë, sepse unë do të flas për Asociacionin. Për Zotin do të duhej të flisnin edhe përfaqësuesit europianë. E sa i përket atij (Kurtit), atë e dimë, ai kurrë nuk do ta formojë atë. Ai do të japë gjithçka nga vetja në atë variantin – ‘po po, unë pranoj gjithçka, por paraprakisht Serbia të na njohë neve, e më pas ta formojmë Asociacionin’”, tha ai për TV Pink.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Joseb Borrell dhe emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin dhe do të pasojë një takim i përbashkët.

Në një komunikatë të lëshuar më 17 shkurt, Bashkimi Europian njoftoi se “në takim do të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Kurti tha të hënën në një intervistë për France24 se ky takim do të tregojë se “sa shpresëdhënës mund të jemi për këtë vit”.

“Unë jam optimist. Jam shumë optimist se mund të ketë një marrëveshje këtë vit”, tha Kurti.

Për agjendën e takimit të së hënës, për ta përcaktuar atë, analisti serb Dushan Janjiq pret që të ndërhyjë pesëshja që po ndërmjetëson bisedimet Kosovë -Serbi, Gjermania, Franca, Italia SHBA, BE.

Duke thënë se Vuçiq nuk duhet të shkojë në Bruksel nëse nuk flitet për Asociacionin, Janjiq tha se në këto dy-tre ditë do të duhej të pasonte ndërhyrja e vendeve të “pesëshes së madhe” për të përcaktuar agjendën në Bruksel, duke iu referuar Gjermanisë, Francës, Italisë, Uashingtonit dhe BE-së.

Cila mund të jetë pika e nxehtë e diskutimit?

Brukseli ka refuzuar të japë detaje për pritjet që kanë nga takimi i së hënës ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit.

Por për këtë takim të dielën ka folur nga Mynihu presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, në një intervistë për Deutsche Ëelle-n. Ai tha se “nuk ka rrugëdalje” nga kjo marrëveshje .

“Unë mendoj se me pranimin e tekstit bazë të marrëveshjes nga të dyja palët, është bërë një lëvizje. Ky është një shans që nuk duhet lëshuar. E di që në ditët në vijim në Bruksel do të vazhdojnë bisedimet për dokumentin përcjellës, planin e zbatimit. Shpresoj se edhe për këtë do të arrihet një marrëveshje. Sinqerisht dua që Serbia dhe Kosova ta nënshkruajnë marrëveshjen, sepse mendoj se kjo do të ishte e një rëndësie të pamatë për stabilitetin dhe perspektivën europiane të rajonit” ka thënë Gjukanoviq.

Kryeministri Kurti u përgjigj për dialogun me Serbinë në një seancë të Kuvendit më 13 shkurt, në të cilën tregoi se versioni i dytë i propozimit europian i cili iu dorëzua Kosovës në fillim të dhjetorit, “shoqërohej edhe me një plan zbatimi që kishte referencë të qartë tek një statut që do ta hartonte Ekipi Menaxhues, obligim që rrjedh nga Marrëveshja e vitit 2013, e që është një tregues i një hapi drejt krijimit të një asociacioni të komunave me shumicë serbe”.

Pasi tha se propozimi e ka njohjen ‘de facto” brenda dhe e arsyetoi pranimin e tij, Kurti foli për pikën “shumë kontestuese” aty, e cila kishte të bënte me Asociacionin.

“E vetmja pikë shumë kontestuese është ajo që lidhet me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara të Brukselit, shumica nga të cilat fatkeqësisht janë marrëveshje që kanë në përmbajtje elementin mono-etnik, atë territorial dhe atë të monopolizimit të përfaqësimit të komunitetit serb në duart e Listës Serbe që kontrollohet nga Beogradi”, është shprehur Kurti.

Kurti tha se në vizitën e fundit të emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak më 6 shkurt, kishte marrë nga ai qartësimin e “disa prej mekanizmave dhe elementeve të sekuencimit që do të negociohen në kuadër të planit të zbatimit”.

“Kjo nënkupton që pranimi i dokumentit kryesor është pa paragjykim nga negocimi i planit të zbatimit i cili do të duhej të përfshijë elementë që kanë të bëjnë me mekanizmat zbatues, sekuencimin dhe kuptimin e disa prej parimeve që përmenden në propozimin kryesor”, ka thënë kryeministri.

Lutfi Haziri, dikur anëtar i ekipeve negociatore të Kosovës, foli të martën në Pressing në T7 edhe për pritjet e tij nga ky takim.

“Përveç asaj ‘po’-së në debatin e papërfunduar në Kuvend dhe përveç asaj ‘po’-së me gjashtë kushte, nuk ka lëvizur asgjë në Prishtinë dhe të gjithë duhet ta kemi parasysh se takimi i ardhshëm më shumë do të merret me normalizim të brendshëm të Kosovës sesa me një dokument bazë i cili i ka disa çështje”, tha Haziri.

Nënkryetari i LDK-së tha se “do të jetë e rëndësishme nëse negocimi do të fillojë prej pikës së parë deri në të shtatën apo prej të shtatës deri në të trembëdhjeten”.