Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Qeveria e Kosovës ende s’e kanë finalizuar listën e aseteve që do t’i barten Fondit Sovran. Por, një listë fillestare tashmë është bërë dhe në të janë përfshirë 94 asete me vlerë dhe mbi 1 mijë e 500 toka. Nga AKP kanë folur edhe për llojin e aseteve që pritet t’i kalojnë në menaxhim Fondit.
Themelimi i Fondit Sovran ka qenë një prej premtimeve kryesore të kryeministrit Albin Kurti, bashkë me Bankën Zhvillimore. Gjatë fushatës zgjedhore, është përmendur pothuajse në secilin tubim.
Ky premtim është i listuar edhe në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje, si prioritet i Qeverisë Kurti.
Aty thuhet se Fondi do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Telekomit dhe Postës.
“Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Telekomit dhe Postës. Agjencia Kosovare e Privatizimit do të shuhet dhe asetet e saj i kalojnë Fondit Sovran i cili është fond investues dhe instrument i zhvillimit industrial”.
Por, deri tash s’është që janë bërë edhe shumë hapa në këtë drejtim. Përveç miratimit në parim të koncept-dokumentit për themelimin e këtij Fondi, s’është vendosur ende se cilat asete do t’i kalojnë nën menaxhim.
Nga Agjencia Kosovare e Privatizimit i kanë thënë Gazetës Express se është vlerësuar se 94 asete dhe mbi 1 mijë e 500 toka kanë potencial për t’u bartur tek ky Fond, por që listë përfundimtare ende s’ka.
Zëdhënësi i AKP’së, Ylli Kaloshi ka thënë se AKP dhe Qeveria janë duke i koordinuar veprimet në lidhje me finalizimin e listës së aseteve që mendohet të barten në Fondin Sovran.
Ai ka folur edhe me llojin e aseteve të cilat pritet t’i kalojnë nën menaxhim këtij Fondi.
“Deri më tani, pas një analize të hollësishme e konkrete, AKP ka arritur që t’i evidentojë në një regjistër të përbashkët gjithsej 2448 asete. Prej tyre është vlerësuar se 94 asete me vlerë dhe 1549 toka në zona të ndryshme kadastrale me rreth 48 mijë hektarë tokë mund të konsiderohen se kanë potencial për t’u bartur në Fondin Sovran, si miniera, ndërtesa administrative e lokale, fabrika, hotele, ferma, depo të ndryshme, toka bujqësore të të gjitha kategorive etj. Sidoqoftë, AKP dhe Qeveria janë duke i koordinuar veprimet në lidhje me finalizimin e listës së aseteve që mendohet të barten në Fondin Sovran”, thuhet në përgjigjet e Kaloshit.
Ndryshe, më 26 shkurt të këtij viti, është miratuar në parim Koncept Dokumenti për themelimin e Fondit Sovran.
Ky Koncept Dokument parasheh hapat që duhet të ndjek Qeveria e Republikës së Kosovës deri në themelimin e Fondit. Aty përcaktohen qëllimet, funksioni dhe mandati i Fondit Sovran, si dhe strategjia për bartjen e aseteve zhvillimore dhe strategjike nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në Fond.
Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se ky fond parashikon një transformim të thellë dhe strukturor të qeverisjes ekonomike në Kosovë.
“Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike. Fondi Sovran do t’i japë një jetë të re shumë aseteve që qëndrojnë të mbyllura apo nënshfrytëzuara në fondin e AKP-së, përmes riorganizimit, rihabilitimit dhe rivitalizimit të tyre në forma të reja të funksionalizimit komercial dhe financiar”, kishte deklaruar Kurti.
Kurti kishte thënë se interesim për të mbështetur projektin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës kanë shprehur Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, banka zhvillimoregjermane KfË dhe institucione si Friedrich Ebert Stiftung.
“Përveç interesimit nga këto palë, projekti i Fondit Sovran ka ngjallë edhe interesimin e vendeve fqinje, të cilat po e shohin në Fondin tonë një model të mundshëm për të imituar në vendet e tyre. Të gjitha këto dëshmojnë se suksesi ynë me këtë projekt, për themelimin e Fondit Sovran, na nxjerr nga bishti në ballë të trendeve regjionale e globale financiare dhe zhvillimore të shekullit XXI dhe hap një kaptinë të re historike në zhvillimin ekonomik të vendit tone”, kishte deklaruar Kurti.