Deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari ka dalë nga seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës.
Pak para se të dalë ai, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha përmendi vëllezërit Dehari dhe tha se nuk është në interesin e Vetëvendosjes e as Qeverisë zbardhja e rastit të Astrit Deharit.
Sipas Berishës, Vetëvendosja i ka përdorur këto raste për qëllime politike.
Lidhur me rastin e Arbnor Deharit, Berisha tha se “është sekret publik që përfliten emra zyrtarësh me të cilët ai ka qenë i involvuar në rolin e sinjalizuesit”.
Avni Dehari në një prononcim për Indeksonline sqaroi daljen e tij nga Kuvendi, duke njoftuar se kishte një punë dhe nuk kishte të bëjë me Berishen.
Sa i përket akuzave të Berishes, Dehari thotë “hiç mos të ndalet, le ta demaskon veten”.
“Jo nuk e kam lëshuar, kam njëfarë pune, çfarti nuk e lëshoj unë sallën e Kuvendit. E kam një punë, e kam pas një termin e duhej të dilja patjetër, rastësisht ka ndodh. Sa për Berishën, hiç mos të ndalet. Mbetet në ndërgjegjen e tyre ata që e shfrytëzojnë këtë rast dhe rastet e tilla. Nuk kanë dinjitet dhe le të vazhdojnë, mos të ndalen, le ta demaskojnë vetën, të tregojnë kush janë”, u shpreh ai për Indeksonline.