Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali dhe ish-deputetja e LDK-së, Alma Lama në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka folur mbi zhvillimet që po ndodhin në vend.
Lama ka thënë se situata në Kosovë mbetet ende e tensionuar. Qeverinë Kurti e konsideron si të paaftë, kurse opozitën të paralizuar.
Ajo tutje, ka komentuar edhe dy vjetorin e Qeverisë Kurti, duke thënë se ka dështuar në mbajtjen e premtimeve të veta, pasi ka bërë emërime partiake nëpër institucione.
Kurse, sa i përket trysnisë për formimin e asociacionit, Lama thotë se është mirë që Kurti t’i rrijë besnik asaj që ka thënë për vite të tëra, pra të mos nënshtrohet.
Më tej, për Ministrinë e punëve të jashtme, ish- ambasadorja ka thënë se është dikasteri që ka dështuar më së shumti, kryesisht për shkak të njerëzve jo kompetentë që e drejtojnë.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale politike në vend?
Alma Lama: Situata politike në Kosovë vazhdon të mbetet e tensionuar, më shumë për shkak të dialogut dhe raporteve me Serbinë, por edhe për shkak të dinamikave të brendshme si dhe raportet e kësaj qeverie me partnerët ndërkombëtarë që është në pikën më të ulët. Propaganda dhe rrjetet sociale nuk arrijnë ta mbulojnë realitetin, i cili është më se i prekshëm dhe i dukshëm. Qeveria aktuale është e paaftë ndërsa opozita e paralizuar, ose në pritje se mos po krijohet ndonjë situatë kur të hyjnë në qeveri. Ka mungesë të konsensusit politik edhe për çështje madhore siç janë raportet me Serbinë dhe kjo kryesisht për shkak të anonimozitetit që ka krijuar Lëvizja Vetëvendosje nëpër vite kur ishte në opozitë.
“Bota sot”: Më 14 shkurt Qeveria Kurti mbushi dy vjetorin e qeverisjes. Si i vlerësoni të arriturat përgjatë këtyre dy viteve?
Alma Lama: Qeveria aktuale në përgjithësi ka dështuar të përmbushë premtimet e veta zgjedhore, dhe i ka zhgënjyer qytetarët të cilët i kanë besuar retorikës disavjeçare të saj. Për fat të keq kjo është qeveria më e dobët që ka pasur Kosova pas luftës, si nga niveli i ministrave dhe përfaqësimit institucional, ashtu edhe nga niveli i perfomancës. Kjo qeveri ka vazhduar traditën e emërimeve partiake dhe të pakualifikuara nëpër institucione, si dhe të familjarëve, duke e degraduar edhe më tej, me emërimin e njerëzve jo kompetentë në poste të rëndësishme shtetërore. Nga ana tjetër, një sërë skandalesh e kanë shoqëruar dhe nuk ka fare reflektim për përmirësim, por vetëm arrogancë, mungesë transparence dhe manipulim të elektoratit duke drejtuar ende gishtin nga qeveritë e kaluara, në vend që të përmbushin detyrat për të cilat kanë marrë mandatin. Ndërkohë opozita që përbëhet prej disa partish është mjaft e dobët, jo aktive dhe parlamenti i mbushur me njerëz që marrin rrogën, por që kanë dështuar ta mbajnë përgjegjëse qeverinë duke i kërkuar llogari për premtimet, projektet apo veprimet e saj.
“Bota sot”: Trysnia për formimin e Asociacionin po bëhet e pa përballueshme, derisa kryeministri nga ana tjetër ka paraqitur gjashtë pika mbi bazën e të cilave kërkon të themelohet Asociacioni, si i keni parë ju këto zhvillime?
Alma Lama: Qeveria Kurti ka kritikuar në vazhdimësi qeveritë e kaluara se pse i nënshtrohen presionit të bashkësisë ndërkombëtare, ndërkohë që edhe vetë po i nënshtrohet. Është mirë që ai t’i rrijë besnik asaj që ka thënë për vite të tëra, pra të mos nënshtrohet.
Nëse ky nuk paska qenë nënshtrim, por bashkëpunim dhe partneritet me ta, atëherë duhet të gjejë kurajën dhe të kërkojë falje për mashtrimin që ua ka bërë qytetarëve për t’iu marrë votat. Sa për asociacionin, gjashtë pikat e paraqitura janë pranim, por i kamufluar me kushte, në mënyrë që tua shesë votuesve. Me kushte apo pa kushte, atë ditë që ai e bën asociacionin e ka thyer premtimin dhe kauzën e vet për të cilën kanë hedhur gaz lotsjellës në parlament dhe kanë ushtruar dhunë vandale ndaj institucioneve. Marrëveshja për asociacionin është ndërkombëtare dhe Kosova ka për detyre ta bëjë, në përputhje me Kushtetutën, mirëpo kjo qeveri nëse vërtetë ka qenë kundër asociacionit, nuk duhet ta pranojë. Nëse e bën, do të thotë se kauza e tyre se asociacioni është rrëzim për boznjëzim të Kosovës, që e copëton atë së brendshmi, paska qenë e rreme. Pra unë e shoh si një betejë hipokrite këtë me votuesit dhe militantët.
“Bota sot”: Si e shihni opozitën në këtë rast, a do të duhej të kishte më shumë unitet me pozitën?
Alma Lama: Opozita është mjaft e dobët dhe nuk po e sfidon qeverinë. Nëse i marrim partitë opozitare veç e veç, PDK është më e zëshme mirëpo edhe ata janë mjaft të dobët në kërkesat për llogaridhënie, si dhe ju mungojnë kauzat. Partitë e tjera duket sikur kanë një heshtje të mirëkuptimit për qeverinë aktuale dhe nuk e përjashtoj mundësinë e ndonjë koalicioni në të ardhmen, me këtë qeveri. Qeveria Kurti i ka duart e lira edhe në procesin e dialogut me Serbinë sa i përket një kontestimi opozitar, dhe problemet që ka pasur deri tani i ka pasur me qëndrimet e saj të mëhershme, të cilat e ka të vështirë t’i kamuflojë. Një konsensus sa i përket raporteve apo një marrëveshjeje me Serbinë mendoj se është i nevojshëm, pasi marrëveshja duhet të miratohet në Kuvend me 2/3 por gjasat janë që ai do të krijohet nga amerikanet, jo nga Kurti, i cili në vazhdimësi sulmon opozitën, sa herë përballet me dështime të mëdha qeverisëse.
“Bota sot”: Që nga njohja e Izraeli, Kosova nuk ka pasur njohje të tjera, si e komentoni këtë dhe në përgjithësi punën e diplomacisë?
Alma Lama: Sa i përket njohjeve, ky është një proces që nuk varet shumë nga Kosova por nga dinamikat gjeopolitike, interesat e shteteve dhe superfuqive, që janë përfshirë në mbështetjen apo kundërshtimin e shtetësisë së Kosovës, por MPJ-ja e Kosovës së paku me vendet njohëse do të duhej të zhvillonte raporte, të vendoste marrëdhënie diplomatike me ato që nuk ka vendosur dhe të forconte raportet me ato shtete me të cilat i ka raportet formale. Natyrisht kjo kërkon shumë punë dhe angazhim, por kjo është detyra e qeverisë dhe diplomatëve që ka dërguar nëpër misione. Që nuk është treguar e përgjegjshme në punë e njohjeve e tregon edhe injorimi që i është bërë Izraelit, duke mos emëruar ambasador në krye të misionit, edhe pse tashmë kjo qeveri po i bën dy vite në pushtet. Ndërkohë, Izraeli e ka bërë prej kohësh emërimin e ambasadores për Kosovën, duke treguar seriozitet dhe vlerësim. Mos emërimi nga ana e Kosovës është lojë që bëhet për shkak të presioneve të një shteti tjetër, lojë që nuk do të duhej të ishte pranuar nga qeveria.
“Bota sot”: Si e vlerësoni qasjen e qeverisë aktuale të Shqipërisë në raport me Kosovën?
Lama: Mendoj se qeveria shqiptare ka në përgjithësi qasje korrekte në raport me Kosovën. Mirëpo, ka pasur disa përplasje që lidhen me projektin e Ballkanit të Hapur ku Kosova nuk ka marrë pjesë, por ka kritikuar Shqipërinë që është përfshirë në këtë proces, ku bën pjesë edhe Serbia. Në njëfarë mënyre Kosova dëshiron që Qeveria shqiptare të mos jetë e pavarur në politikën e saj të jashtme, por ta koordinojë atë me Kosovën, dhe kjo më duket e drejtë. Mirëpo ajo çfarë më duket hipokrizi është momenti kur Shqipëria kritikohet për paternalizëm, apo për indiferencë ndaj Kosovës. Ky është një tipar jo vetëm e raporteve aktuale, por edhe mes qeverive të shkuara. D.m.th. politikanë kosovarë për shkak të frikërave në raport me Serbinë, që ende e shohin veten si humbës dhe jo fitues, kërkojnë që edhe Shqipëria të përfshihet në vorbullën e retorikës ballkanike të urrejtjes. Ka pasur disa incidente kur përfaqësues të Kosovës kanë kërkuar t’i diktojë qeverisë shqiptare politikën e saj të brendshme dhe të jashtme duke shkaktuar kështu përçarje të mëdha. Udhëheqësit e Kosovës dhe të Shqipërisë duhet të bashkëpunojnë, por në asnjë mënyrë të tentojnë të tregohen imponues me njëri tjetrin.
“Bota sot”: Keni qenë ambasadore e Kosovës në Itali, si e vlerësoni punën e Ministrisë së Punëve të Jashtme?
Alma Lama: Ministria e punëve të jashtme ndoshta është dikasteri që ka dështuar më së shumti, kryesisht për shkak të njerëzve jo kompetentë që ë drejtojnë. Kjo njihet edhe si ministria e skandaleve dhe është për të ardhur keq pasi nga njëra anë kam informacion se iu bëhet presion i jashtëzakonshëm diplomatëve që punojnë aty, duke i detyruar të lënë punën apo të marrin pushim pa pagesë, nga ana tjetër kanë hapur dyert për punësim militantësh, duke vazhduar sagën e mëhershme. Prej fjalimit të parë në OKB u bënë gafa të mëdha, ku përfaqësuesit e shtetit flisnin keq për shtetin që përfaqësonin, duke treguar qartë se nuk e dinin rolin që kishin. Është për keqardhje, por sot kemi një ambasador të përfshirë në një skandal të pastrimit të parave dhe korrupsionit, dhe që jo vetëm nuk lirohet nga detyra por mbrohet me çdo mjet nga krerët e shtetit, pavarësisht se imazhi i shtetit po dëmtohet. Pra është vështirë të gjesh ndonjë arritje që ja vlen të përmendet.