Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, thotë se Plani Franko-Gjerman është i domosdoshëm të pranohet nga Kosova dhe Serbia. Haliti nuk e sheh këtë plan të favorshëm për asnjërin shtet, por sipas tij, është hap i rëndësishëm për hapjen e perspektivës të europianizimit të dy popujve.
“Plani franko-gjerman, nuk është i favorshëm as për Kosoven e as për Serbinë, por është domosdoshmëri e kohës dhe procesit të negociatave të pranohet nga të dyja palët, me qëllim që të hapet perspektiva e europianizimit të të dy popujve”, tha Haliti.
Haliti thotë se çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është problematike, teksa kritikoi edhe disa nga eksponentët e partisë në pushtet, që sipas tij janë duke i ngatërruar gjërat.
“Sa i përket Asociacionit, që është mjaft problematik, por kam përshtypje që mediet dhe disa eksponentë të VV dhe disa patriotë të vetëshpallur po i ngatërrojnë gjërat me qëllim dhe për llogari pa barazim”, thotë Haliti.
Sipas tij, formimi i Asociacionit i hap rrugë Kosovës për integrim në NATO, BE, OKB dhe OSBE. Garantuese që Asociacioni s’do ketë kompetenca ekzekutive do të ShBA-ja dhe BE-ja.
“Asociacioni i hapë rrugë Kosovës me u integru në institucione ndërkombëtare që nga NATO, BE, OKB, OSBE etj, ndërsa serbëve të Kosovës ju mundëson daljen nga kthetrat pengmbajtëse të shovenizmit serbomadh dhe çlirimin nga tutela e Serbisë. Ata do jenë qytetarë të respektuar të Kosovës, por me të drejtë që disa çështje që kanë të bëjnë me organizimin e brendshëm t’i kenë të mundshme. Ndërse BE-ja dhe SHBA-ja do jenë garantuese që Asociacioni s’do ketë kompetenca ekzekutive”, tha Haliti.