U shpëtua pas 248 orësh nën rrënoja, Erdogan telefonon 17 vjeçaren: Do të vij të të takoj së shpejti!

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan telefonoi 17 vjeçaren Aleyna Ölmez, e cila u shpëtua pas 248 orësh nga rrënojat e tërmetit. Gjatë bisedës telefonike kreu i shtetit turk, i tha Aleynas që do të shkojë ta vizitojë personalisht kur ajo të kthehet në Ankara nga Stambolli.

“Ju uroj shërim të shpejtë. Ne do të takohemi shumë shpejt. Lutjet tona janë për të gjithë pacientët. Ju keni një emër shumë të bukur, në zyrën time në Presidencë kam një tabelë ku shkruhet emri juaj “Aleyna”, i ka thënë Erdogan vajzës së mbijetuar. Kjo e fundit e falenderoi presidentin Erdogan për telefonatën dhe mbështetjen.

Kujtojmë se numri i të vdekurve nga tërmetet Turqi-Siri fatkeqësisht ka shkuar në gati 44 mijë. Autoritetet turke thonë se të paktën 38 mijë e 44 njerëz janë vrarë në vend. Qeveria siriane dhe Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 5 mijë e 800 njerëz kanë vdekur atje. OKB-ja ka nisur një apel për 1 miliard dollarë ndihmë për të ndihmuar viktimat e tërmetit në Turqi.