Kryetari i Komitetit për Politikë të Jashtme i Senatit Amerikan, Robert Menendez, ka thënë se nuk pajtohet me qëndrimet e fundit të shprehur nga Derek Chollet, këshilltar i Departamentit Amerikan të Shtetit për domosdoshmërinë e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, Kosovës i duhet njohja reciproke nga Serbia për të arritur paqe afatgjate dhe jo ndarje nëpërmjet Asociacionit.
Në një deklaratë në një ngjarje të organizuar nga Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane më 12 shkurt, Menendez ka thënë se SHBA-ja duhet të ketë qasjen që fillimisht të kërkojë njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
“Shqetësohem kur pash Cholletin… Lexova shkrimin e fundit dhe komentet e tij. Kjo s’është ajo që duhet të jetë politika e jashtme e SHBA-së referuar Kosovës dhe si merremi me Ballkanin Perëndimor. Neve na duhet paqe afatgjate dhe ajo s’mund të arrihet në vendime të këqija afatshkurtra”, ka thënë ai duke paralajmëruar se në Komitetin që udhëheq do të organizojë një seancë për çështjen e Ballkanit për të diskutuar për këtë çështje.
“Paqja afatgjatë vjen me njohje reciproke”, ka vazhduar ai duke theksuar se Serbia në vazhdimësi ka penguar rrugën e Kosovës në integrimin ndërkombëtar.
Njohjen reciproke e ka cilësuar si kushtin e parë para se të kërkohet diçka tjetër. “Vetëm me njohje reciproke dhe veprimet që ndodhin si rrjedhojë mund të ketë rrugë përpara për Kosovën dhe Ballkanin”, ka thënë ai.
Menendez ka thënë se Kushtetuta e Kosovës ua garanton të gjitha të drejtat minoriteteve. Ai ka thënë se është e gabuar qasja që Asociacioni të shihet si “bllokadë që do të zhbllokojë të ardhmen”.
“Nëse duam shtet tërësisht të integruar dhe jo ndarje, s’mund të kemi Asociacion të komunave që shkakton qeverisje të ndarë dhe shkakton ndarje”, ka thënë ai duke tërhequr paralele edhe me SHBA-në duke thënë se “nuk mund t’i kemi dy presidentë, apo dy kongrese”.
“S’duhet të avokojmë për këtë”, ka thënë ai.
Në fund të janarit, në një vështrim ekskluziv dërguar KOHËS, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar patën ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe./KOHA