Sipas ish kryeministrit të Kosovës, Agim Çekut, Kosova nuk po bën shumë për të akuzuarit e Gjykatës Speciale, të cilët ndër tjerash po akuzohen edhe për vrasjen e anëtareve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe bashkëpunëtorëve të Ibrahim Rugovës.
Sipas Çekut shteti duhet të bëjë shumë më shumë për këtë kauzë dhe ta rrëzoj aktakuzën e Speciales ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit e të tjerëve.
Por ndaj deklaratës së Agim Çekut ka reaguar analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri.
“Deklarata e Çekut është deklaratë emocionale, pasi bëhet fjalë për miqtë e tij, por jo nuk duhet të jetë nxitje që të ndërhyhet në drejtësi. Kosova edhe ashtu po ndan miliona euro për mbrojtjen e tyre që është një paradoks në vete, ku shumica e dëshmitarëve janë shqiptar të cilët janë prekur në forma të ndryshme nga veprimet joligjore dhe jo humane nga të akuzuarit”, thotë Haziri për “Bota sot”.
Sipas tij, Specialja është institucion i Republikës së Kosovës, dhe si i tillë nuk duhet të pengohet në punën e saj.
“E kam thënë edhe më parë dhe po e përsëris edhe tani, pa pretenduar se po zbuloje “ujin e nxehtë”, pasi të gjithë e dinë këtë gjë, se Gjykata Speciale është institucion i drejtësisë i themeluar nga Kosova, dhe si e tillë duhet respektuar duke mos ndërhyrë në procesin e saj, pra në procesin e drejtësisë”, shprehet Haziri.
Më tej, ai thotë se vet dënimi i Sali Mustafës është tregues se cak i vrasjeve politike kanë qenë anëtarët e LDK-së.
“Vet dënimi Sali Mustafës, të ashtuquajturit Komandant Calit, flet mjaft qartë për njerëzit që kanë abuzuar me përgjegjësit e tyre gjatë periudhës së luftës, ku shënjestër e tyre nuk ka qenë vetëm pushtuesi, por edhe ata që këta i kanë vënë në nishanin e kundërshtarëve politik, sidomos njerëzit që janë identifikuar si aktivist të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kanë përkrahur Presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës dhe politikën e tij institucionale”, thekson Haziri.
“Dhe në këtë drejtim jo vetëm Agim Çeku, por gjithë shoqëri kosovare do të duhej të përkrahet Gjykata Speciale dhe zbardhja e vrasjeve politike”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.