




Normalizimi i raporteve me Serbinë është kyç për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, ka thënë Josep Borrell, përfaqësues i lartë i BE-së të shtunën, pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.
“U takova me Kurtin në #MSC2023 për të diskutuar për nevojën për avancim të propozimit të BE-së për normalizim raportesh me Serbinë, që është kyç për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Do të takohemi në Bruksel për takim në nivel të lartë më 27 shkurt”, ka shkruar Borrell në Twitter pas takimit me Kurtin.





Kurti gjatë ditës në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, është takuar me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
Në takim u fol edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për përgatitjet për takimin e radhës në Bruksel, si dhe për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve.





Takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë do të zhvillohet me 27 shkurt në Bruksel, ka konfirmuar Bashkimi Evropian gjatë ditës së djeshme.
Siç u bë e ditur, Borrell bashkë me ndërmjetësin evropian, Miroslav Laçak fillimisht do të zhvillojnë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët.
Në fokus të takimit do të jetë propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve.