Angazhimi i profesorit të Universitetit Johns Hopkins, Daniel Serwer me Ballkanin filloi në vitet ’90, me negociatat e Bosnjes, kur ai shërbente në Departamentin e Shtetit.
Prof. Serwer shkoi për herë të parë në Kosovë në vitin 1998, si studiues i Institutit të Paqes.
Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zoti Serwer analizon arritjet dhe sfidat e Kosovës në 15 vjetorin e pavarësisë së saj dhe kujton se si ndryshoi qëndrimi i tij për pavarësinë e Kosovës.
Intervista e plotë
Zëri i Amerikës: Zoti Serwer, cilat mendoni se kanë qenë sukseset dhe sfidat në këto 15 vjet që kur Kosova shpalli pavarësinë?
Prof. Daniel Serwer: Mendoj në përgjithësi, ka qenë një arritje e suksesshme për shumicën e popullatës së Kosovës, e cila është në gjendje më të mirë, më e lirë se më parë. Duhet të kujtojmë se nga vinte Kosova, jo vetëm nga lufta por nga një periudhë e shtpyjes së skajshme, kufizimit të lirisë. Kështu që unë mendoj se pavarësia në vetvete ka qenë një sukses. Çka nuk ka qenë aq e suksesshme është vendosja e sovranitetit, që është një koncept më vete.
Një pjesë e problemit është kontrolli i vazhdueshëm i Beogradit mbi popullsinë serbe në Kosovë që kufizon sovranitetin e Kosovës. Dhe një pjesë e problemit është dështimi për të fituar njohjen universale të sovranitetit dhe integritetit të saj territorial. Dhe pikërisht këtu ngrihen çështjet aktuale.
Ky përvjetor vjen në një kohë të intensifikimit të angazhimit diplomatik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Çfarë rezultati mendoni se do të ketë kjo rritje angazhimi?
Prof. Daniel Serwer: Ndërkombëtarët kanë thënë se duan të shohin normalizim, por nuk është aspak e qartë se ku konsiston normalizimi. Më e pakta që Kosova duhet të presë është një marrëdhënie e ndryshme me Serbinë. Ka qenë deri tani një marrëdhënie antagoniste, ku Serbia është përpjekur të bllokojë hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, është përpjekur të inkurajojë ndjenjën antishqiptare në popullatën serbe. Më duket se ajo që duhet tani është një marrëdhënie konstruktive reciproke, ku theksi të jetë tek sinergjitë pozitive të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë. Deri tani, presidenti Vuçiç ka mundur të sigurojë mbështetje politike vetëm për armiqësi ndaj Kosovës. Ai duhet të gjejë një mënyrë për ta bërë politikën e Serbisë të funksionojë në favor të tij me një marrëdhënie miqësore me Kosovën.