Shqiptarët e Kosovës ishin minoritet, pakicë kombëtare në ish-Jugosllavi. Trajtimi brutal policot ishte normë. Survejimi, përndjekja, edhe për gjërat më banale, cilësoheshin politike, duke filluar nga Shkolla 8-vjeçare, sidomos të mesme e fakultet. Çfarëdo literature, e botuar jashtë vendit, ishte blasfemi. Andaj edhe ndjekja ishte primitive, çnjerëzore.
Pikërisht për këtë, nga ky shembull kriminal, tashmë, raporti ka ndryshuar dhe assesi nuk duhen kopjuar pararendësit. Përkundrazi, Kosova, si shtet demokratik, duhet të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë kombëtare, fetare, ngjyrës dhe bindjeve të tyre politike. Mjafton të jenë në rregull me ligjet vendore, ku pjesë e hartimit, të votimit dhe mbikëqyrës aktual janë edhe pakicat, edhe pse përbëjë vetëm 6 % të popullatës vendore.
Edhe nëse këto të drejta për minoritetet, janë më të avancuarat në rajon, shqiptarët që kanë vuajtur për një shekull e gjysmë, pikërisht nga serbët, duhet të kapërdijnë shumëçka, për hir të bashkëjetesës fqinjësore, duke i trajtuar minoritetet me dinjitet dhe pa asnjë diskriminim. Shqiptarët duhet të përligjin edhe ndoca të drejta shtesë për minoritetet, qoftë në infrastrukturë, ekonomi dhe fusha të tjera, që nuk prekin dhe nuk pengojnë zhvillimin normal të jetës institucionale. Dhe, assesi kompetenca si -pushtet i tretë-.
Paradoksi i Asociacionit i shokoi shqiptarët e Kosovës dhe të botës. Ndërkombëtarët, përkatësisht, Qendrat e vendosjes, imponuan “Kosovën shtet multietnik”, me 6 % pakicë jo shqiptare! Rast unik në botë. Tani kërkojnë “Asociacion mono etnik!” Shqiptarët thonë: “Këtë krijesë artificiale, nuk e lejon Kushtetuta e vendit”. Ndërkombëtarët thonë: “Kushtetuta nuk është Bibël, ndryshojeni!”
Me urdhër të Beogradit, bandat e gatshme në Veriun e Kosovës, i vunë barrikadat. Borrell i BE-së u kujtoi EULEX-it dhe KFOR-it, se kanë për detyrë vetëm vëzhgimin, por jo edhe ndërhyrjen. Escobar “çliroi katramën e dytë” në favor të Serbisë: “Barrikadat janë normale!?!” Pas këtyre deklaratave, rrastë provokative për shtetin e Kosovës, pasoi dyfishimi i barrikadave, përfshi edhe bllokimin e rrugëve dytësore. Presidenti Vuçiq e rriti çmimin: “Nuk ka dialog pa krijimin e “Zajednicës”! Dhe, ndërkombëtarët ia “bënë aminin”, duke e vënë Asociacionin si agjendë të parë, edhe pse nuk është përmendur fare në kornizën-platformë, të plasuar nga franko-gjermanët!
10 komunave serbe, t´u bashkohen edhe komuna e Mamushës dhe Dragashit
1) Zhbërja me votim në Kuvend. Por, kjo edhe nëse mundësohet pa 2/3 e votave të minoriteteve, do të merrej si vendim i mujëshor, duke pasur shumicë absolute të deputetëve shqiptarë. Rrjedhimisht, e papranueshme për ndërkombëtarët.
2) Përmes inicimit të doktrinës të njohur ligjore ndërkombëtare, Clausula “Rebus Sic Stantibus”, e cila mundëson shfuqizimin, prishjen e një kontrate, marrëveshje ndërshtetërore. Dhe, kjo bëhet kur rrethanat kanë ndryshuar dhe zbatimi i saj dëmton skajshëm shtetin. Kjo doktrinë është përdorur në rastin e një kontesti në mes të Anglisë dhe Islandës.
Nënshkrimi i Asociacionit është bërë në kushtet e një shantazhi faktik, me dosje krimesh serike, të kundërshtarëve politikë, të bëra nga komandantë, nën akronimin “UÇK-së”, për qëllime të marrjes të pushtetit me dhunë dhe të përfitimit material. Ndaj eksponentëve nënshkrues të Asociacionit, përkatësisht të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, në vitin 2013 dhe 2015, duhet të ngrihet akuzë, qoftë edhe formalisht, për tradhti ndaj Atdheut – Kosovë. Dhe, kjo e shfuqizon Marrëveshjen në fjalë, sepse nënshkrimi ka qenë ilegal, pa konsultuar as strukturat e partisë dhe as institucionet shtetërore.
3) Minoritetet tjera në Kosovë: turqit, boshnjakët, romët me degëzimet e tyre, kundërshtojnë çfarëdo asociacioni njëetnik. Sepse krijimi i një asociacioni të tillë për serbët, lënë të hapur konfliktin, deri në luftë të përgjakshme. Rrjedhimisht, ndjehen seriozisht të kërcënuar, të rrezikuar, duke parë e njohur makabritetin e sivëllezërve të tyre sllavo-rusë, mbi popullin e pafajshëm dhe të pambrojtur në Ukrainë.
Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, përfaqësuese e komunitetit boshnjak, kundërshton ashpër Asociacionin monoetnik, si absolutisht të papranueshëm. Në mes tjerash, ajo deklaron: “Pra, ata s’e kanë ratifikuar dhe sipas Gjykatës Kushtetuese, e cila disa nene i ka shpallur jo kushtetuese, pra ka shumë hapësirë për korrigjim të këtyre gjërave dhe natyrisht që qeveria jonë s’ka për të lejuar të themelohet një tjetër Republikë Serbe brenda shtetit tonë, e cila që në fillim diskriminon multietnicitetin dhe diskriminon komunitetet tjera”.
Për t`iu shmangur shkeljes së Kushtetutës, njëherësh për të plotësuar ngulmimin alogjik të ndërkombëtarëve, për një “biçim” Asociacioni, atëherë të shihet mundësia e krijimit të Asociacionit të Minoriteteve të Kosovës. Arsyetimi: Me qëllim të mbrojtjes të drejtave të tyre, të garantuara me Kushtetutën vendore, e cila konsiderohet nga më zemër-gjerat, për minoritetet në Ballkan e më gjerë. Pra, 10 komunave me shumicë serbe, që janë turpi i BE-së dhe i Ahtisarit, sepse 96 % e popullsisë të Kosovës kanë 27 komuna, ndërsa 4 % e serbëve kanë 10 komuna.
Atëherë, Kosova multietnike, për të shmangur Asociacionin monstrum monoetnik serb,10 komunave ekzistuese serbe, t`u bashkohen edhe dy komuna, me shumicë minoritare, kryesisht, turq e boshnjakë, siç është komuna e Mamushës dhe ajo e Dragashit. Në këtë mënyrë do të kishim Asociacionin numër 2 të komunave në Kosovë, me statusin e njëjtë që ka Asociacioni fillestar i Kosovës. Si garanci, lë të bëhet edhe një monitorim i përhershëm ndërkombëtar, për mbikëqyrjen e zbatimit të të drejtave të minoriteteve në shtetin e Kosovës.