Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se është çështje kohe para se disa vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta zyrtarizojnë vendimin për njohje.
Në një intervistë të saj për mediumin katalonas “El Periodico”, presidentja Osmani ka thënë se pavarësia e Kosovës ëstë fakt i pakthyeshëm.
“Pavarësia e Kosovës është një fakt i pakthyeshëm, kështu që ne jemi këtu për të vazhduar të jemi shtet i pavarur dhe sovran, është vetëm çështje kohe se sa shpejt disa vende e zyrtarizojnë vendimin e tyre për të na njohur”, ka thënë ajo për mediumin, përkthen Reporteri.
Presidentja Osmani, tutje, ka deklaruar se Kosova nuk e vendos Rusinë dhe Serbinë në të njëjtin grup me pesë vendet mosnjohëse nga BE.
Ajo ka deklaruar se Serbia i sheh Kosovën, Bosnjes dhe Malin e Zi si shtetet të përkohshme.
“Osmani: Nuk do të vendosja Rusinë dhe Serbinë në të njëjtin grup me pesë vendet e BE-së. Rusia dhe Serbia nuk e njohin Kosovën sepse kanë ide hegjemoniste dhe imperialiste. Serbia dëshiron të na shohë ne, Bosnje Hercegovinën, Malin e Zi dhe vende të tjera si shtete të përkohshme dhe të kthehet në vitet ’90 përmes pretendimeve të saj territoriale”, ka thënë ajo. /GazetaExpress