Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, sot në një konferencë për media, ka shpalosur pakënaqësitë me partinë në të cilën ajo merr pjesë.
Abazi, nga gazetarët u pyet se a do të largohet nga grupi parlamentar i VV-së, nëse vendoset për shkarkimin e tij nga komisioni për Punë të Jashtme.
Ai tha se nuk do të largohet nga GP i VV-së.
“Nuk do të largohem nga grupi parlamentar. Unë e thashë në fillim, që nuk kam as votë kundër as dalje nga LVV. Nuk kemi asnjë agjendë mbrapa, në kuptim e asaj që do të kemi dalje në parti tjera. Kjo është e kotë, absolutisht e kotë. Unë po flas për çështje përmbajtjesore të kualitetit dhe shëndetit të demokracisë, nuk po flas për transfere që keni parë në të kaluarën, apo protestë të idesë së krahasimit me të tjerët. Kemi dy vite qeverisje, kemi rezultate, kemi problemin me mungesën e konsumimit të argumentit dhe debatit demokratik përbrenda Grupit Parlamentar. Këtu është brengosja, nuk është brengosja te shkarkimi im. Nëse deputetët e VV-së dhe opozitës vendosin që të më shkarkojnë, natyrisht që do e respektojnë, por shkarkimi duhet të vijë si rezultat i analizës së kryerjes së puëns apo mospunës në komisionin parlamentar. Jo urdhrave politikë dhe jo diktateve, e sidomos jo diktateve nga vendet që nuk e kanë legjitimitetin e qytetarëve…”, tha ai.