Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, Bedri Hamza, ka komentuar mundësinë që Fatmir Limaj t’i bashkohet subjektit të tij.
Fatmir Limaj është parë që disa kohë në foto me zyrtarë të lartë të PDK-së, ndërsa është përmendur edhe rikthimi i tij i mundshëm si kryetar i këtij subjekti. Hamza ka komentuar këto spekulime.
Ai ka thënë se nëse Limaj është i interesuar seriozisht t’i bashkohet këtij subjekti, atëherë ai duhet të respektojë procedurat.
“Ky vit është dashur të jetë vit zgjedhor brenda PDK-së”, thotë Hamza për T7.
“Nëse Limaj apo çdokush dëshiron t’i futet garës, atëherë duhet të respektohen rregullat dhe t’i futet garës zgjedhore. PDK ka statutin e saj dhe të gjitha dokumentet tjera”, shtoi Hamza.
Limaj dikur ka qenë anëtar i PDK dhe zyrtar i lartë i saj. Më pas ai u largua nga ky subjekt duke formuar subjektin e tij NISMA, me të cilin ishte për disa vite edhe në qeverisje si pjesë e koalicioneve të ndryshme. Por në zgjedhjet e fundit partia e tij nuk kaloi pragun, ndërsa dështuan negociatat parazgjedhore për një koalicion të mundshëm me PDK-në.