Opozita po vazhdon të jetë shumë e zëshme në lidhje me qëndrimet dhe veprimet që kryeministri Kurti për asociacionin dhe planin evropian të dialogut.
Së fundmi AAK, përkatësisht kryetari Ramush Haradinaj, u shpreh që “Qeveria Kurti ka dështuar në ndërtimin e një strategjie, e cila do e vendoste Kosovën në pozitë të favorshme në raport me Serbinë. Mos koordinimi me aleatët tanë, veçmas me Amerikën, ka rrezikuar interesin nacional të vendit dhe gjitha të arriturat e deritanishme të shtetit”.
Nuk është hera e parë që Haradinaj vjen me një deklaratë të tillë, sepse ka kohë që insiston që kryeministri Kurti është antiamerikan.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur ish këshilltari i Glauk Konjufcës, Driton Tali.
Ai thotë që secila parti politike duhet të hartojë strategji garuese dhe pastaj konform aktiviteteve të shpërblejë sovranin kur të vijnë zgjedhjet.
“Sa i përket garës politike, duhet ta theksoj se ne jemi përcaktuar fuqishëm për demokraci që d.m.th., për pluralizëm. Sidomos ne që e kemi jetuar diktaturën dhe monizmin e dijmë shumë mirë se çka d.m.th., demokracia dhe liria e shprehjes. Andaj, unë skenën tonë politike e shikoj nga kjo përspektivë. Natyrisht dua ta shoh më të sofistikuar, por është kjo që është. Kaq dimë – kaq mund të bëjmë – për momentin. Sidoqoftë nuk më takon mua që unë të ju mbaj derse atyre por ju takon partive politike, dhe sigurisht udhëheqësisë tyre, ta hartojnë strategjinë garuese, dhe natyrisht, pastaj, konform aktivitetit edhe ato do të shpërblehen nga sovrani kur të vijnë zgjedhjet”, u shpreh ai.
Tali më tej, thotë që kjo gara për amerikanofili (amerikanofobi) i duket e ulët dhe banale.
“Prandaj, ta përsëriti: Nuk i komentoj aktivitetet politike të partive, ndonëse i kam rezervat e mija ndaj qasjes që po e shprehin disa karshi negociatave me Serbinë sepse që moti e kam bërë publike (tashmë me qindra herë) qëndrimin tim lidhur me negociatat dhe sidomos Asociacionin. Mirëpo, kjo gara për amerikanofili (amerikanofobi) më duket e ulët dhe banale. Sepse qëndrimi i shqiptarëve të Kosovës (por edhe i komuniteteve tjera të Kosovës në përgjithësi hiqe një pjesë të komunitetit serb që kanë qasje tjetër) është krejtësisht proamerikane”, shpjegon tutje Tali.
Në fund, ai thotë që mendimi që të gjykohet një shqiptar se as është më shumë proamerikan apo jo është primitive.
“Andaj amerikanofilia jonë nuk varet nga individët – qoftë ai Iliri, Agroni, Lumi, Bekimi ose Afërdita, Valbona, Era – apo çfardo emri të kenë – por është e betonuar që nga atëhere kur ShBA-a na erdhi në ndihmë në momentet më të vështira të egzistencës sonë fizike. Shih për këtë: Një shqiptar normal i Kosovës, t’i thotë një shqiptari tjerër normal të Kosovës se “unë jam më pro-amerikan se ti” për mendimin tim është banale dhe primitive”, përfundoi Tali për “Bota sot”.