Mërgimtarë shqiptarë në Gjermani kanë protestuar të shtunën kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Protesta është organizuar nga aktivistë e shoqatave të bashkatdhetarëve, ndërsa është përkrahur edhe nga qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjermani.
“Kundër bosnjizimit të Kosovës”, “Vuçiq=Putin”, “Vuçiqi e do edhe një luftë në Evropë”, “Jo Asociacionit” e “Jo ndarjes etnike”, ishin disa nga pankartat protestuese në Berlin.
“Ne, mërgata shqiptare në Gjermani jemi mbledhur për të ngritur zërin kundër agresionit të Serbisë ndaj Kosovës. Po bëhet gjithnjë e më e qartë se Serbia në bashkëpunim me Rusinë synon destabilizimin e Ballkanit. Serbët që jetojnë në Kosovë po keqpërdoren sistematikisht nga Beogradi për ta bërë shtetin e Kosovës jofunksional. Bandat serbe të kontrolluara nga Beogradi kontrollojnë bashkëqytetarët tanë në veri duke i kërcënuar me dhunë”, ka thënë një nga protestueset.
Ajo ka thënë po ashtu se duke mbështetur kërkesën e Serbisë, ndërkombëtarët po mbështesin ndarjen në baza etnike të Kosovës.
“Sot protestuam përballë Bundestag-ut në Berlin. Gjermania si një aleate dhe mike e shqiptarëve edhe këtë herë duhet të dalë krah drejtësisë dhe të mos lejojë ndarjen e Kosovës!”Zajednica” nuk kalon!”, shkroi në Facebook njëri nga pjesëmarrësit e protestës.