Erdogan: Mbyllen deri në verë universitetet në Turqi, mësimi do të zhvillohet online

Presidenti turk Erdogan njoftoi se mësimi për studentët do të zhvillohet online deri në verë ndërsa konviktet do të hapin dyert për të prekurit nga tërmeti.

Përveç hoteleve në zonat bregdetare, edhe konviktet e studentëve do të presin të pastrehët nga tërmeti.

“Ne do të përdorim konviktet e të gjitha universiteteve tona që i përkasin KYK-së për viktimat e tërmetit. Universitetet do të zhvillojnë arsim në distancë dhe shpresojmë se ne do t’i përdorim konviktet si strehim, “tha Erdogan në provincën e goditur nga tërmeti, Dijarbakır.

Presidenti turk përsëriti edhe njëherë se banesat e reja në zonat e goditura nga lëkundjet e forta do të përfundojnë brenda një viti. Kujtojmë që Turqia është në zi kombëtare deri të dielën ndërsa për 3 muaj është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.