Bajqinovci: LDK s’ka të drejtë të shesë moral për shëndetësi, ka pasur zyrtarë të arrestuar për keqpërdorime

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, deklaroi se ka zyrtarë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që janë arrestuar për keqpërdorime në sektorin e shëndetësisë.

Prandaj sipas Bajqinovcit, partia e LDK-së nuk ka fare të drejt ta kritikojë Qeverinë Kurti për menaxhimin e shëndetësisë.

Njëherit, ai theksoi se për tu anashkaluar keqpërdorimet në këtë sektor, duhet të themelohen disa reforma.

“Kur jemi te shkatërrimi i shtetit, PDK dhe LDK janë më meritoret në 19 vitet e fundit. E para, sigurimi shëndetësor nuk bëhet shpejt, sepse janë 3 apo 4 fusha që duhet të përmirësohen. Unë e njoh më mirë se LDK-ja shëndetësinë. E dyta, janë edhe një mori gjëra tjera që duhet të bëhen reforma që të mos ketë keqpërdorime. LDK-ja nuk ka të drejtë fort të na tregojë dhe të ketë moral për shëndetësi, sepse ka pasur të arrestuar njerëz të tyre. Ka pasur të arrestuar drejtor e sekretar të tyre për keqpërdorime në këtë sektor”, potencoi Bajqinovci.

Tutje, Bajqinovci vlerësoi se me ndarjen e buxhetit nga Qeveria aktuale prej 300 milionë eurosh, Kosova do të ketë shërbime me të mira në sektorin e shëndetësisë.

“Tanimë do të kemi barna dhe ilaqe më shumë, ashtu siç do populli”, tha Bajqinovci.

LDK ka akuzuar Qeverinë se nuk e ka prioritet shëndetësinë dhe nuk po merret me çështjen e ikjes së mjekëve nga vendi.

Kujtojmë se buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2023 është më i lartë sesa i vitit 2022.

Derisa, bëhet e ditur se buxheti për përmirësimin e infrastrukturës dhe shtimin e pajisjeve mjekësore, për përmirësimin e cilësisë dhe zgjerimin e shërbimeve të reja është rritur, dhe se mjete të tjera do të sigurohen në vijim.