Rada Trajkoviq, politikane serbe që aktualisht është këshilltare e ministrit serb Nenad Rashiqit, ka reaguar sërish në lidhje me zhvillimet në veri.
Në një intervistë për Nova.rs, zonja Trajkoviq e ka akuzuar presidentin e Serbisë se i tërhoqi serbët nga institucionet e Kosovës për shkak të interesit të mafisë.
“Dhe atë mafi e udhëhiqte Milan Radoiçiq. Ajo mafi përdori metoda të ndryshme të shtrëngimit për t’i bërë serbët të pranojnë të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës. Ata i detyruan serbët të bëhen gjyqtarë që e bëjnë betimin para Thaçit” – tha fillimisht ajo.
Tutje, ajo ka akuzuar Vuçiqin se nuk i tërhoqi serbët nga institucionet për shkak të interesit të Serbisë, por të mafisë.
“Kur mafia përpiqet të integrojë serbët, përfundon ashtu siç ndodhi. Një ditë, kur mafia e ndjeu se nuk mund të përfitonte më përmes këtyre institucioneve dhe me një mënyrë të tillë funksionimi, i tërhoqi ata. Vuçiq e bëri jo për t’i tërhequr ata për shkak të interesave serbe, por sepse filloi kontrolli më i madh mbi atë që po bënin.” – shtoi ajo.