Chollet bisedon me Kurtin: Tani duhet implementimi i propozimit franko-gjerman, pastaj sigurojmë benefitet.
Këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit Amerikan, Derek Chollet, ka njoftuar se sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ai, nëpërmjet një njoftimi në Twitter, ka thënë se SHBA e mirëpret vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin evropian, i njohur si propozimi frank-gjerman, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Fola me kryeministrin Albin Kurti sot. Ne e mirëpresim vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përmes dialogut të lehtësuar nga BE”, ka shkruar Chollet, raporton Gazeta Express.
Cholle ka deklaruar se tani duhet implementimi i plotë i propozimit për t’i siguruar benefitet për të dy shtetet.
“Tani duhet implementimi për t’i siguruar përfitimet domethënëse për të dyja shtetet.”
“Do të përkrahim hapat vijues mbi propozimin e BE-së. Ky progres është domethënës për Kosovë, duke qenë se ne mbështesim integrimin e saj të plotë euro-atlantik dhe në organizatat ndërkombëtare”, ka shkruar zyrtari amerikan Chollet.
Pas një takimi në Prishtinë në fillimjavë me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajça, kryeministri Kurti kishte deklaruar se Kosova e pranon propozimin e BE-së si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme.
“Bashkëbisedim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajcak në një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platformë solidë për të ecur tutje”, kishte shkruar ndër tjerash Kurti.
Megjithatë, ai gjatë një paraqitje në Kuvendin e Kosovës, kishte vendosur 6 kushte për Serbinë, në mënyrë që të themelohej Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, një mekanizëm që kërkohet me insistim edhe nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.