Kryeministri Albin Kurti të hënën pas takimit me emisarit e BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, ka deklaruar se ka pranuar planin franko- gjerman si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme.
“ Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platformë solide për të ecur tutje”, ka deklaruar Kurti.
Ky vendimi i Kurtit është pranuar nga Lajçak, i cili është shprehur i lumtur që Kosova ka pranuar në parim propozimin.
Ndryshe, ndaj këtij vendimit, Lajçak nuk ishte deklaruar për kushtet e Kurtit për formimin e Asociacionit.
Në drekën e punës me kryeministrin Kurti, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se kanë folur edhe për kushtet e paraqitura për implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Lajçak tha se ia ka treguar Kurtit pozicionin e BE-së rreth kësaj, por këtë nuk deshi ta bëjë publike para gazetarëve.
“Kemi folur për këtë çështje dhe e informova kryeministrin rreth pozicionit tonë por s’dua ta bëjë publike analizën legale, ishte e dobishme që e diskutuam këtë”, tha ai.
Duke iu referuar Asociacionit, Lajçak tha se gjithçka që është nënshkruar duhet të zbatohet.
Kujtojmë, se kryeministri Albin Kurti, të enjten në një seancë në Kuvendin e Kosovës, ka prezantuar gjashtë kushtet për themelimin e Asociacionit dhe ato janë:
-Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.
-Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).
-Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
-Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
-Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raport me Kosovën.
-Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE, që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013”.
Kushtet e kryeministrit Kurti për formimin e ASK-së, i ka komentuar eksperti i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben Meir.
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Meir shprehet se pika e parë është legjitime, ndërsa pika e dytë mund të bëhet pikë e pengesës.
“Besoj se pika e parë është legjitime, domethënë: Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës. Pika e dytë në të cilën ai kërkoi që Asociacioni nuk mund të jetë mono-etnik, duhet të ndryshojë emrin, nuk mund të ketë apo të mbajë pushtet publik apo ekzekutiv… mund të bëhet pikë e pengesës. Megjithatë, ai ka të drejtë të pretendojë se shoqata nuk mund të mbajë pushtetin ekzekutiv sepse kjo do të cenonte sovranitetin e Kosovës”, pohon Meir.
Duke folur rreth pikës së tretë, Meir thotë se është në përputhje me standardin dhe modelin evropian, ndërsa e katërta duhet t’i nënshtrohet negociatave.
“Pika e tretë sigurisht që është në përputhje me standardin dhe modelin evropian dhe ai ka të drejtë që insiston në të. Pika e katërt duhet t’i nënshtrohet negociatave dhe marrëveshja përfundimtare për këtë duhet të arrihet në kontekstin e njohjes së Kosovës nga Serbia”, thekson Meir.
Më kritike është pika e pestë, sipas ekspertit, i cili shton se njohja e Kosovës nga Serbia duhet të vendoset në parim që nga fillimi i negociatave.
“Unë besoj se pika e pestë është ndoshta më kritike këtu. Domethënë, njohja e Kosovës nga Serbia duhet të vendoset, në parim, që nga fillimi i negociatave dhe të zbatohet pasi të zgjidhen të gjitha çështjet e tjera konfliktuale. Për këtë duhet rënë dakord paraprakisht dhe pjesa tjetër do të pasonte. Pika e fundit në të vërtetë nuk ka asnjë pasojë sepse BE-ja vendos se kur dhe si ta shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, deklaron eksperti i çështjeve të Ballkanit Perëndimor.
Kurse, i pyetur nga “Bota sot”, nëse asociacioni mund të jetë shkak që të ketë një konflikt të mundshëm Kosovë- Serbi, ai shprehet se “besoj se nëse plotësohen kërkesat e Kurtit, siç e thashë më lart, nuk duhet të ketë pasoja negative për Kosovën nga asociacioni”.