Paralajmërimi i Baton Haxhiut: Pas Asociacionit, vjen diçka më e rëndë për Kosovën

Gazetari Baton Haxhiu ka thënë në emisionin Pressing në T7 se themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk do të jetë fundi i sfidave të shtetit të Kosovës ndaj Serbisë.

Haxhiu ka thënë se kurdo që të përfundojë çështja e Asociacionit, Kosova do të duhet të përballet me sfidën e dialogut me Kishën Ortodokse Serbe.

“Pas Asociacionit, Kosova do të duhet të përballet me një sfidë edhe më të madhe. Ajo do të duhet të negociojë me Kishën Ortodokse Serbe. Tokat, kompetencat e të tjera që do të vijnë do të jenë shumë të vështira. Mirëpo në të gjithë këtë është një gjë e rëndësishme. Kisha do të duhej të negociojë me ne dhe të pranojë shtetin e Kosovës”, tha ai, shkruan Gazeta Express.

Haxhiu gjatë emisionit po ashtu tha se me pranimin e planit franko-gjerman, Kosova do të duhej të themelojë Asociacionit.

“Kur thuhet ne e pranojmë, për ata që e dinë se cfarë ka brenda marrëveshja, që ne nuk e dimë, pika 9 flet për Asociacionin. Fakti që Asociacioni është në një pikë, kur e pranon planin franko-gjerman, e pranon edhe Asociacionin”, ka thënë ai.

Gazetari shtoi se nuk ekziston mundësia që ndonjë nen i planit të pranohet e ndonjë nen jo.

“Një qeveri që është serioze, o i pranon të gjitha, o i refuzon të gjitha. Nuk ka këtë pikë e pranoj, e tjetër jo”, përfundoi ai. /Gazeta Express