Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se Albin Kurti e ka pranuar planin franko-gjerman, siç, sipas tij, e ka pranuar edhe Asociacionin.
“Plani franko-gjerman, përveç që nuk ka njohje reciproke, dhe as njohje të 5 vendeve të BE-së, parasheh nivel më të lartë autonomie se sa vetë Asociacioni. Prandaj, PO-ja e këtij plani, është PO edhe për Asociacionin”, ka shkruar ndër të tjera Molliqaj në Facebook.
Postimi i plotë:
Kurti po negocion veç për fytyrën e tij
Kurti e ka pranuar planin franko-gjerman, siç e ka pranuar edhe Asociacionin. Shih ti, mbi planin franko-gjerman i paska edhe ca “pyetje” shtesë. Kështu janë edhe “kushtet” e tij për Asociacionin.
Plani franko-gjerman, përveç që nuk ka njohje reciproke, dhe as njohje të 5 vendeve të BE-së, parasheh nivel më të lartë autonomie se sa vetë Asociacioni. Prandaj, PO-ja e këtij plani, është PO edhe për Asociacionin.
Kurti e ka veç një problem, e ky problem s’ka asnjë lidhje me përmbajtjen e asnjërit nga dokumentet: Asociacioni është problem i PR-it. Gjatë është kundërshtuar, shumë gjëra janë thënë. Historikun e shkruar të partisë edhe mund ta zhdukësh, por mbamendja për Asociacionin është ende shumë e freskët. Çfarë t’u bëjmë protestave e gazit? Çfarë njerëzve që më nuk janë midis nesh? E vetmja përgjigje është shtypja dhe dominimi deri në përmasa parafashiste. Pushteti negocion, ndërkohë e pranon edhe “Asociacionin e mirë”, SKV këndej bën protesta për ta mbrojtur kryeministrin. Aty ku proteston pushteti, rrezikohet liria. Krejt kjo për t’i pajtuar disi Albinin dhe Asociacionin.
Negociatat e tij janë veç për fytyrën e tij. Ta ruajë nëse do të mbetet diç për t’u ruajtur.