Prifti ortodoks shqiptar At Nikolla Xhufka ditë më parë shkoi në vizitë në Manastirin e Deçanit, në të cilin, ashtu edhe siç pritej, nuk pati një pritje miqësore nga drejtuesit e manastirit, shkruan Korrespodenti.
Në emisionin Kojshia Show, ai tregoi se në fillim ai ishte pritur mirë dhe me dashamirësi nga murgjit që ishin brenda, por në momentin që kishin marrëve vesh që ai ishte shqiptar e kishin larguar me arrogancë nga manastiri.
“Ishte një situatë tejet dramatike, aq shumë na kontrolluan sa që mirë që nuk na zhveshën. Të thuash dramatike është pak. Te jesh në tokën tënde, në shtëpinë tënde dhe të mos gjendesh rehat në kishën tënde, kjo është e pafalshme”, kishte thënë ai.
Pas transmetimit të emisionit Kojshia Show, ka reaguar kleri serb i Manastirit të Deçanit, ku përmes një postimi në faqen zyrtare kanë thënë se At Nikolla Xhufka nuk ishte lejuar të bënte foto brenda këtij manastiri, të cilat sipas tyre kishin për qëllim të përdoreshin për qëllime shoveniste dhe se i njëjti, thuhet në reagim, ishte larguar paqësisht, përcjell Korrespodenti.
Në reagim thuhet se pas informacioneve nga Kisha Ortodokse në Shqipëri se At Nikolla Xhufka është një mashtrues, ata nuk e kishin lejuar atë të bënte regjistrime brenda manastirit.
Kleri serb ka kritikuar edhe mediat të cilat e publikuan deklaratën e At Nikolla Xhufkës se ky i fundit ishte larguar me dhunë nga manastiri vetëm pse ishte shqiptar, deklaratë kjo që sipas tyre, ka për qëllim përhapjen e urrejtjes kombëtare.
Në këtë reagim, po ashtu konfirmohet se drejtuesit e Manastirit të Deçanit e kanë njoftuar KFOR-in për këtë incident me At Nikolla Xhufkën që të kujdeset për, siç e thonë ata, “veprimet e mundshme provokative dhe përhapjen e urrejtjes etnike dhe fetare”.
Reagimi i plotë i klerit Serb të Manastirit të Deçanit:
At Nikolla Xhufka në emisionin Kojshia Show deklaroi se Manastiri i Deçanit është i shqiptarëve. “Manastiri ishte kishë ilire”. Ai thotë se nuk ia kishte marrë mendja që serbët do të kenë një sjellje të tillë ndaj një prifti. “Sjellja e tillë kundër një kleriku, kundër një prifti është e pashpjegueshme”.
“Në fillim as rojet e KFOR-it nuk na penguan. Prifti më puthi dorën. Më pas dikush iu afrua dhe i pëshpëriti diçka në vesh, prifti ndryshoi sjellje. Ai nga një murg u bë një njeri arrogant”, deklaroi tutje At Nikolla Xhufka.
Xufka kishte rrëfyer edhe bisedën e shkurtër me priftin e manastirit të Deçanit. “Sapo e kuptoi se ishim shqiptarë më tha “zotëri ik me të mirë, sa nuk të kemi rrahur”. I thashë: Si të iki akoma një qiri nuk e kam ndezur. A je murg ti”. Ma ktheu “unë jam zot shpie këtu, largohuni””, tregon tutje vizitën e hidhur në manastirin e Deçanit At Nikolla Xhufka. /Korrespodenti