Gazetari serb: Vuçiq është rrugës për ta pranuar një marrëveshje që përfshin Kosovën në OKB

Nëse gjykojmë nga disponimi i Aleksandar Vuçiqit në Kuvendin e Serbisë edhe momentet e pambuluara të zemërimit se ka rezistencë ndaj propozimit europian për Kosovën, mund të konkludohet se ai është në rrugën e pranimit të një zgjidhjeje që do të përfshinte një ulëse për Kosovën në Kombet e Bashkuara (OKB), thotë gazetari serb Boshko Jakshiq në një intervistë për FoNet.

Me rastin e debatit të fundit parlamentar për dialogun në Kuvendin e Serbisë, Jakshiq analizoi paraqitjen e Vuçiqit. I pyetur nëse propozimi franko-gjerman do të thoshte “dorëzim” dhe “tradhti” siç thonë në Serbi, Jakshiq përmendi se zyrtarët serbë duhet të kërkojnë leje për të hyrë në Kosovë.

“Për çfarë tradhtie, dorëzimi apo shitjeje po flasim kur nuk kemi çfarë të tradhtojmë, të shesim apo të dorëzojmë? Kosova nuk është territor i Serbisë. Kosova është shkëputur”, tha Jakshiq.
Ai s’heziton të deklarojë Serbia humbi në luftën e vitit 1999.

“Refuzimi i vazhdueshëm i realitetit i çon të dyja palët në një rrugë pa krye”, theksoi ndër tjerash Jakshiq.