Ish-kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Liri Loshi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, mund të shpëtojë, vetëm nëse nuk e pranon themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe jep dorëheqje.
Ai ka thënë se nëse Kurti deklarohet kundër dhe Asociacioni bëhet e ai prapë mbetet në pushtet, atëherë kryeministri merr një barrë të madhe historike.
Sipas tij, historia nuk do ta falë Kurtin, pasi problemi qëndron se ai e kishte mohuar “Zajednicën” e tash është detyruar ta zbatojë.
Loshi ka fajësuar “të fortët”, të cilët sipas tij, u kanë dhënë Kosovës dhe Serbisë si ultimatum pranimin e planit euro-amerikan.
Postimi i plotë i Loshit në Facebook:
Militantë të dashur të Vetëvendosjes. Kuptojeni liderin tuaj që për pak kohë ishte edhe imi. Njeriu punon me mjetet dhe kapacitetët që ka. Serbia dhe Kosova nuk kanë kapacitet me e refuzu planin euro-amerikan, në momentin kur plani shtrohet si ultimatum. Ka ditë që me racionalizimet e mia në Facebook jam munduar t’ju përgatis psiqikisht që ta kaloni më lehtë këtë moment që tash po shihet qartë se ka ardhur. Vuçiqi i tregoi hapur popullit të vet se Serbia s’ka kaqik me e refuzu Planin. Kurti i ra pak si rrotull për të dalë në të njëjtën pikë. Kaq kemi në dorë, kaq mundemi! Pikë! Problem është vetëm historia e atyre që e kanë mohuar Zajednicën e tash janë të detyruar ta zbatojnë. Nuk ia kemi ngul vetes, por na e kanë ngulë të fortit! Nuk kanë faj Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe as Albin Kurti. Historia ose do t’i shpërblejë të tretë, ose do t’i dënojë të tretë. Albini mund të shpëtojë vetëm nëse nuk e pranon Asociacionin dhe jep dorëheqje. Nëse ai deklarohet kundër dhe Asociacioni bëhet e ai prapë mbetet në pushtet, atëherë merr një barrë të madhe historike, sepse Asociacioni po bëhet në kohën e tij, pra kur ai është në pushtet. Nëse është pra fjala për histori, historia nuk e falë. Ti mund ta vësh samarin në ramazan e të mos agjerosh, por Zotin nuk e mashtron dot që nuk je njeri! Ashtu edhe historia është, si Zoti.