Kadrijaj, AAK: Asociacioni po trajtohet në mënyrë të veçantë si pasojë e gabimeve të Qeverisë Kurti

Deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, tha se shkak pse Asociacioni po trajtohet në mënyrë të veçantë janë gabimet e Qeverisë Kurti.

Teksa foli për diskutimin e sotëm në Ambasadën amerikane për Asociacionin, deputetja Time Kadrijaj thotë se është mirë që as ShBA nuk po e lejon shkeljen e Kushtetutës në raport me themelimin e Asociacionit.

Mirëpo, sipas saj, keq menaxhimi i situatave nga Qeveria dhe nxitja e konflikteve, ka ndikuar në mënyrën se sa me urgjencë po trajtohet themelimi i Asociacionit nga aleatët.

“Ajo çka ndodhi sot dhe sipas prononcimeve, thuhet se ka qenë si një sesion dëgjimor. Unë mendoj që duhet të punojmë seriozisht në këtë drejtim. Mirëpo, e mira e kësaj, është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë që nuk preket Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Pra, nuk duhet lejuar të shkelet Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Me gabimet që ka bërë Qeveria Kurti, me keq menaxhimin e situatave dhe me nxitjen e konflikteve, është produkt i kësaj qeverie që sot Asociacioni po trajtohet në mënyrë të veçantë. Po ashtu, edhe që është bërë kryetemë e faktorëve ndërkombëtarë, amerikanëve dhe Brukselit zyrtar”, tha Kadrijaj në TV1.

E pyetur pse mendon se është kaq urgjent themelimi i Asociacionit, Kadrijaj tha se AAK nuk është e kyçur direkt në këtë temë, pasi sipas saj, kjo është çështje e Qeverisë Kurti.

“Ne nuk jemi të kyçur direkt në këtë çështje, sepse kjo është çështje e Qeverisë. Prandaj, Qeveria duhet të negociojë, duhet të ulet ne tryezë e të debatojë edhe me faktorin ndërkombëtar dhe me ShBA-të, sepse në fund të fundit Qeveria duhet ta zbatojë këtë marrëveshje”, theksoi deputetja.