“Shumicën e gazetarëve këtu (në Kosovë, sqarimi jonë), i kam pasë studenta edhe u thom: kur t’u mungon lapsi për me shkrua, çoni ni fjalë se baca Martin ta blen lapsin për me shkrua”. Kështu do të deklaronte ambasadori Martin Berishaj, para Komisionit Hetimor Parlamentar para rreth dy muajsh. Ai dje përmes një ‘sqarimi publik’ në llogarinë e tij në Facebook, reagoi edhe një herë dhe veç tjerash, tha se ‘nuk është aksionar madje kurrkund në botë…’
Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci, i dyshuar në përfshirjen e mega-skandalit ‘GEN Beograd’ ose afera më e dyshimtë energjetike në Kosovë, ka thyer heshtjen gjatë ditës së djeshme. Përmes një postimi në Facebook ka provuar të sqarojë akuzat që janë ngritur rreth tij.
Në krye të tekstit ka shkruar se nuk është aksionar në ndonjë biznes.
“Që në fillim dua t’ju informoj se nuk jam as pronar dhe as aksionar i asnjë ndërmarrjeje në Republikën e Kosovës, as në Republikën e Malit të Zi, as në rajon, dhe askund tjetër në botë! Pretendimi se unë kam fshehur apo deklaruar rrejshëm pasurinë, nuk qëndron dhe është i pavërtetë”, shkruan ambasadori i Kosovës në Kroaci, z.Martin Berishaj.
Megjithëkëtë, të dhënat zyrtare që vijnë nga Shqipëria flasin ndryshe.
Ai figuron aksionar në një kompani të majme në Shqipëri, qarkullimi i së cilës ndër vite, është miliona euro. Hisen në këtë kompani, ambasadori i Kosovës në Kroaci, z. Martin Berishaj nuk e ka të deklaruar në Agjencinë Anti- Korrupsion.
Lidhur më këtë Periskopi ka raportuar para pak ditësh.
Periskopi ka drejtuar pyetje në adresë të Qëndrese Kombëtare të Biznesit në Shqipëri -QKB, lidhur më atë se a është biznes aktiv “Nacional” SH.A, dhe nëse po, cilët janë aksionarët aty.
Në QKB nuk i janë përgjigjur pyetjeve drejtpërdrejtë, por kanë dërguar ekstraktin e historikut tregtarë për të dhënat e subjektit “Nacional”, i cili tregon se Martin Berishaj është aktualisht aksionar aty.
“Bashkëlidhur do të gjeni ekstraktin e shoqërisë NACIONAL për çdo informacion shtese mund ta merrni ne faqen tonë të ueb: www.qkb.gov.al link: https://qkb.gov.al/kerko/kerko-ne-regjistrin-tregtar/kerko-per-subjekt/”, thuhet në përgjigjen e QKB për Periskopin.
Sipas ekstraktit historike, shihet se kompania është hapur në vitin 2007, dhe në vazhdimësi i janë ndërruar edhe disa nga aksionarët, por Martin Berishaj nuk është ndërruar asnjëherë.
Pos ekstraktit historik, në faqe gjendet edhe ekstrakti i thjeshte, si dokument me përditësimet e fundit.
Sipas këtij ekstrakti, ky kjo shoqëri aksionare është aktive dhe ka për pronar katër persona: Shefqet Bucaliu 40 për qind të aksioneve, Alban Dabulla, 40 për qind, Martin Berishaj 10 për qind, Përparim Zogani 10 për qind.
Kompania ka për aktivitet “Organizimin e lotarive, lotarive sportive dhe lojërave te fatit, dhënia me qira te pasurive te paluajtshme, tregtim me shumice dhe pakice te prodhimeve artistike. Organizimin e lojës se fatit Bingo Televizive”.
Bazuar në ueb faqen e QKB-së, ky biznes ka një flamur te kuq të ngritur që tregon se subjekti nuk ka depozituar pasqyrat financiare vjetore raportuese, mbajtja e të cilave sipas ligjit është e detyrueshme.
Pra, siç shihet në këtë kompani shumicën e aksioneve i ka, Alban Dubulla, djali i ish-deputetes së Partisë Sociali, Arta Dade.
‘Nacional Sha’ që disa vite organizon “Telebingon” shqiptare.
Prokuroria shqiptare ka vënë në shënjestër disa persona që lidhën më këtë kompani, nuk dihet nëse në mesin tyre është edhe zoti Berisha. Por emri i është përmendur vetëm aksionarit, Alban Duballa dhe disa personave tjerë për “Mospagimit të Taksave dhe Tatimeve”, “Fshehje të ardhurash” dhe “Organizimi i llotarive të palejuara dhe pa licencë”.
Kjo pasi, nga hetimet e kryera ka rezultuar se Alban Dabulla, ka vijuar aktivitetin e lotarisë “Telebingo”, për një afat 8 mujor duke mos pasur asnjë miratim licencë nga organet përkatëse.
Sipas raportimit të para një viti të mediave në Shqipëri , prej tre vitesh kompania “Nacional” e Alban Dabullës nuk dorëzoi balance në Tatime, por dhe as nuk emëron administrator, i cili është autoriteti që lejon veprimet financiare.
Po sipas raportimeve të mediave në Shqipëri, Telebingo Kombëtare, që në listën e rrogave të muajit Janar dhe Prill 2021, identifikohet me emrin “Nacional Sh.A”, rezulton të mos ketë në listë pagesë asnjë punonjës të deklaruar.
Kujtojmë se mediat sllovene e kishin zbuluar vitin e kaluar, një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.
Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, dyshohet që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, ku mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.
Planet TV slloven, pati raportuar se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, z. Berishaj.
Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar sot, tregon se në xhirollogarinë e MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.
Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.
Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro.
Ajo çfarë mund të konstatohet është që në të dhënat e regjistrimit të biznesit, MB Consulting, është edhe numri i njëjtë edhe emaili i njëjtë i z. Berishaj, të cilat ai i ka në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe në faqen e tij të Facebook-ut.
Televizioni Planet ka mësuar se kompania malazeze, ku pronar është Berishaj është themeluar vetëm 10 ditë përpara se të bëhej pagesa e parë e parave nga kompania GEN e Beogradit.”/Periskopi/