Një video e kryeministrit Albin Kurti, ku kujton ish-politikanin serb Oliver Ivanoviq me fjalët më të përzgjedhura, ka ngjallur reagime të shumta në vendin tonë, e madje edhe në vetë mesin e militantëve të partisë së tij, Vetëvendosje. Kjo, për faktin se politikani serb, i vrarë në vitin 2018, ishte akuzuar nga EULEX-i për krime lufte në Kosovë, përkatësisht në qytetin e Mitrovicës dhe me elozhenë e Kurtit për Oliver Ivanoviqit, njerëzit ia kanë rikthyer arkivën e Vetëvendosjes në kujtesë, ku kujtonte Oliver Ivanoviqin si kriminel lufte.
Në tremujorin e vrasjes së Ivanoviqit, në vitin 2018, në Prishtinë dhe disa qytete tjera në Kosovë por edhe në Serbi, ishin shfaqur grafite me portretin e Oliver Ivanoviqit.
Atëkohë, një nga militantët e zëshëm të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, publicisti nga Mitrovica, Fatlum Sadiku – që tani punon si këshilltar në zyrën e zëvendëskryeministres Emilja Rexhepi – kishte marrë vëmendjen për një aksion individual që do ta zhvillonte në Prishtinë, duke fshirë këto grafite.
Para se të fillonte këtë aksion, z.Sadiku kishte shkruar në llogarinë e tij në Facebook, se ai ‘ndjehej i ofenduar nga grafitet e njeriut që është dënuar për krime lufte ndaj shqiptarëve.
Si rrjedhojë e krimeve të tij kundër shqiptarëve, Sadiku e kishte fajësuar Ivanoviqin edhe ‘për verbimin e babait të tij’.
“Ivanoviqi është dënu me 9 vjet burg për vrasje në Masakrën te Rruga e Kovaqve në Mitrovicë, më 14 prill 1999. Është fajtor pse baba m’u ka verbu komplet maslufte, pse vet i kom hupë tre gjysvjetra, pse e kom hupë banesën dhe jemi zhvendosë. A po e vreni pra, që ka një martesë t’thellë t’serbofilëve me këtë sortë politike? Ky është ofenimi ma i poshtër, ma i ligë që ka mujtë me m’u bo n’jetë”, kishte shkruar atëkohë z.Sadiku.