




Shefi i diplomacisë greke, Nikos Dendias ka njoftuar se sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti me të cilin kanë biseduar për zhvillimet e fundit në veri dhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një njoftimi zyrtar Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë.





“Ministri i Jashtëm Nikos Dendias ka folur sot në mëngjes me kryeministrin kosovar, Albin Kurti. Diskutimet janë fokusuar në zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe për dialogun Prishtinë-Beograd”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë nga Zyra e Kryeministrit ende nuk kanë dhënë detaje për telefonatën e Kurtit me ministrin e Jashtëm grek.
Gjatë vitit të kaluar Dendias ka pasur disa vizita në Kosovë, të fundit në dhjetor.