Mustafi jep lajmin e keq nga Lugina: Institucioni që i tubon shqiptarët tash është në mëshirën e Serbisë

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi ka dhënë lajmin e keq nga Lugina e Preshevës.

Përmes një shkrimi në Facebook, Mustafi thotë se mbrëmë në mesnatë ishte afati i fundit kur subjektet politike që kishin siguruar mandatet e tyre në zgjedhjet e 13 nëntorit të vitit 2022, të arrijnë marrëveshje për të zgjedhur organet udhëheqëse të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

E meqenëse, sipas tij, kjo dështoi, Mustafi thotë se që nga mbrëmë në mesnatë, Lugina e Preshevës hyri në kolapsin politik të radhës.
“Me çka, institucioni i vetëm që tubon shqiptarët, u dorëzua në mëshirën e Ministrisë së Pakicave, konkretisht të Qeverisë së Serbisë. Për fatin e keq të shqiptarëve të kësaj treve, sot, kur është humbur afati ligjor që shqiptarët të zgjedhin udhëheqjen e një institucioni që ka të bëjë pikërisht me të drejtat e tyre, arsimin, kulturën e ruajtjen e substancës tonë kombëtare, e të varet nga vullneti i politikës e parapolitikës në Beograd që të zgjedh në emër të votuesve tanë.

Nga të gjitha pakicat, pjesëmarrëse në zgjedhjet e 13 nëntorit të vitit të kaluar, vetëm pakica shqiptare nuk kishte arritur të formonte udhëheqjen e Këshillit Kombëtar”, shkroi Mustafi.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë:

NGA MBRËMË NË MESNATË, LUGINA E PRESHEVËS HYRI NË KOLAPSIN POLITIK TË RADHËS

Shqiptarët më 13 nëntor të vitit të kaluar morën pjesë në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar, zgjedhje në të cilat garuan pesë lista zgjedhore.

Edhe pse këto zgjedhje u zhvilluan të qeta dhe pa incidente, institucioni i cili tubon shqiptarët e Luginës arriti që me 14 dhjetor të mbajë vetëm seancën konstituive të saj, por pa zgjedhur udhëheqjen e Këshillit Kombëtar.

Mbrëmë në mesnatë ishte afati i fundit kur subjektet politike që kishin siguruar mandatet e tyre në zgjedhjet e 13 nëntorit të vitit 2022, të arrijnë marrëveshje për të zgjedhur organet udhëheqëse të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Për fat të keq, edhe pas disa takimeve në mes të subjekteve politike, e madje edhe përfshirjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës që ky ngërrç politik të tejkalohet, në një pjesë të spektrit politik shqiptar në Luginë nuk mbizotëroi pjekuria politike.

Me çka, institucioni i vetëm që tubon shqiptarët, u dorëzua në mëshirën e Ministrisë së Pakicave, konkretisht të Qeverisë së Serbisë.

Për fatin e keq të shqiptarëve të kësaj treve, sot, kur është humbur afati ligjor që shqiptarët të zgjedhin udhëheqjen e një institucioni që ka të bëjë pikërisht me të drejtat e tyre, arsimin, kulturën e ruajtjen e substancës tonë kombëtare, e të varet nga vullneti i politikës e parapolitikës në Beograd që të zgjedh në emër të votuesve tanë.

Nga të gjitha pakicat, pjesëmarrëse në zgjedhjet e 13 nëntorit të vitit të kaluar, vetëm pakica shqiptare nuk kishte arritur të formonte udhëheqjen e Këshillit Kombëtar.

E sot, kur më nuk është në dorën e shqiptarëve, por qendra e vendosjes për udhëheqjen e institucionit të shqiptarëve të jetë Beogradi, pritet që Ministria për pakica e Qeverisë së Serbisë të shpartallojë Kuvendin e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe të zgjedh organin e përkohshëm/dhunshëm.

Shfrytëzoj këtë rast, që të shpreh falënderimet e mija të sinqerta për Qeverinë e Republikës së Kosovës, gjegjësisht Kryeministrin, z. Albin Kurti, që kontribojë për mundësinë e tejkalimit të këtij ngërrçi politik për Këshillin Kombëtar Shqiptar, në mënyrë që të evitohet mundësia e organit të përkohshëm/dhunshëm.

Në të njejtën kohë, shpreh indinjatën time të thellë, që tek liderët e një pjese të spektrit politik shqiptar në Luginë, nuk mbizotëruan arsyet e shëndosha, por papërgjegjësia e plotë.

Me këtë, një pjesë e spektrit politik, e me theks të veçantë PD e LPD, në mes të këshillave të Qeverisë së Republikës së Kosovës që të tejkalohet ngërrçi e të gjindet zgjidhje dhe mundësisë që organi më i lartë që përfaqëson shqiptarët të zgjidhet përmes Qeverisë së Serbisë, fatkeqësisht zgjodhën opsionin e dytë.

Në tërë këtë klimë destruktive të krijuar tashmë tek subjektet politike shqiptare, shpresoj shumë që shqiptarët të bojkotojnë çdo subjekt politik që nuk e toleron përfshirjen e Kosovës dhe Shqipërisë në Luginë, e në anën tjetër nuk e trajton të dëmshme përfshirjen e Qeverisë së Serbisë e cila shpërfillë edhe vullnetin demokratik të shprehur me votë, sikur në rastin e fundit në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar.

Në anën tjetër, pasojat e këtij kollapsi politik në të cilin ka hyrë Lugina e Preshevës mbrëmë, do t’i vërejmë në periudhën e ardhshme.

Uroj, që ata mbi të cilët bie barra kryesore e shkaktimit të kësaj situate, të reflektojnë e mësojnë nga gabimet dhe papërgjegjshmëria e tyre ndaj çështjeve me interes nacional.