Mehaj publikon pamje nga stërvitjet e ushtarëve të FSK-së në Turqi

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook pamje nga stërvitja e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në dëborë dhe kushte të vështira dimri së bashku me forcat partnere.

Ai ka bërë të ditur se në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe partneritetit me forcat turke, një kontingjenti i FSK-së së bashku me kolegët e forcave turke dhe forcave tjera të tetë vendeve partnere, është duke marrë pjesë në stërvitjen fushore “Winter Exercise’23”, që mbahet në Kars të Turqisë.

“FSK është duke marrë pjesë me një kontingjent të përbërë me kapacitete të këmbësorisë së mekanizuar, mortajave, kërkim-shpëtimit dhe oficerë stafi”, ka shkruar Mehaj.

Ai tutje ka thënë se qëllimet e stërvitjes përfshijnë sigurimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në operacionin e kombinuar, testimin e aftësive luftarake të trupave, rritjen e sinkronizimit të zjarrit dhe manovrimit, trajnimin e trupave në tema kyçe si: dislokimi, shërbimi i ushqimit, veshmbathja, furnizimi dhe aktivitetet e mirëmbajtjes, mbijetesën, si dhe funksionimin e sistemit të komandës dhe kontrollit në dëborë dhe kushte të vështira dimri.