Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për dialogun Kosovë Serbi dhe mundësinë e takimit të nivelit të lartë me presidentin serb, Vuçiq në Bruksel e që sipas tij, këto takime do të duhej të ishin çdo muaj.
“Më datën 18 gusht të vitit të kaluar u patëm marrë vesh në Bruksel që do të takoheshim çdo muaj. Në shtator kjo nuk ndodhi, por erdhi propozimi franko-gjerman, që e quajmë propozimi i Bashkimit Evropian i mbështetur nga Franca dhe Gjermania dhe nuk pati takim deri më datën 21 nëntor”, deklaroi ai.
Kurti tha se beson që është dashur të kenë takime më të shpeshta sepse mospajtimi është i madh dhe besimi është i ulët, por nuk e di saktësisht pse ka ndodhur kjo.
“Megjithatë kam shpresë se këtë vit do të këtë një angazhim më të madh të bashkësisë ndërkombëtare e posaçërisht të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të bëhet më shumë trysni mbi Beogradin”, tha Kurti.
Po ashtu Kurti gjatë ditës së djeshme tha se politikat e shtetit serb përkojnë me ato të Rusisë dhe pikëpamjeve hegjemoniste të Kremlinit. Mirëpo, pavarësisht kësaj, Kurti potencoi se Kosova është angazhuar konstruktivisht në dialog.
“Përkundër të gjitha këtyre, Republika e Kosovës është angazhuar në mënyrë konstruktive në dialog me Serbinë për të kërkuar normalizim të marrëdhënieve.”
“Nuk është mungesë vullneti nga ana jonë për të ecur tutje drejt të ardhmes të përbashkët”, theksoi Kurti, “por mungesë e vullnetit të Serbisë për t’u distancuar nga e kaluara”.