




Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se pret që kreu i qeverisë spanjolle, Pedro Sanchez të ndryshojë qëndrimin e tij për njohjen e Kosovës shtet pasi, sipas tij, rastet e Kosovës dhe Katalonjës nuk janë të ngjashme.
Spanja është një nga pesë vendet e BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës, së bashku me Greqinë, Rumaninë, Qipron dhe Sllovakinë.





Në një intervistë për gazetën më të madhe spanjolle ”El Pais”, Kurti thotë se brenda ish- Federatës Jugosllave, Kosova ishte pjesa më e varfër e vendit dhe më e shfrytëzuara, ndërkohë që Katalonia dhe vendi bask janë rajonet më të pasura të Spanjës.
Sipas Kurtit ”raporti i menaxhimit jugosllav ndaj Kosovës ishte kolonial, i ngjashëm me atë të Francës në raport me Algjerinë”.
Për Kurtin nuk ka asgjë shqetësuese që Madridi dhe Barcelona t’i zgjidhin me dialog gjërat e tyre meqenëse Spanja është një vend demokratik, ndërsa Prishtina dhe Beogradi kanë probleme pasi ”Serbia është shtet autokratësh”.