Mungesa e fuqisë punëtore është gjithnjë e më e dukshme në Gjermani, ku ka dy milionë vende pune të paplotësuara, thanë punëdhënësit atje, duke shtuar se vendi po përballet me një popullsi në plakje, raporton AFP.
“Dy milionë vende pune janë të lira në Gjermani dhe kjo rezulton me një humbje prej 100 miliardë eurosh”, tha Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, e cila kreu studimin.
Sipas rezultateve të një sondazhi me 22,000 kompani gjermane, gjysma e tyre kanë vështirësi në plotësimin e vendeve të lira.
Për vite, Gjermania është përballur me mungesën e fuqisë punëtore të lidhur me plakjen e popullsisë, në sektorë kyç si industria, kujdesi shëndetësor, hotelet dhe restorantet dhe ndërtimi.
Situata është përkeqësuar, si në shumë vende perëndimore, që nga pandemia e koronavirusit, ndërkohë që shkalla e punësimit në vend është në rritje.
Aktualisht, pothuajse 58 për qind e kompanive në sektorin industrial ankohen për mungesë të fuqisë punëtore, theksoi dhoma, duke shtuar se më e kërkuara është fuqia punëtore e kualifikuar.