




Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq e ka përsëritur se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Ai tha sot se këtë ia ka bërë të qartë edhe këshilltarit të lartë në Departamentin e Shtetit, Derek Chollet, i cili dje qëndroi për vizitë në Beograd, transmeton Reporteri.





Daçiq tha se i ka thënë Cholletit “se nuk ka njeri në Serbi që do ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe se presidenti Aleksandar Vuçiq është garantuesi kryesor i paqes dhe stabilitetit në rajon”.
Daçiq për televizionin Prva tha se në takim me Cholletin po ashtu ka theksuar se Serbia është e gatshme për dialog, por se është e qartë se cilat janë vijat e kuqe.





Ai tha se nuk ka rinegociim të Asociacionit të Komunave Serbe, se Serbia nuk është e gatshme të njohë pavarësinë e Kosovës as në mënyrë direkte as indirekte dhe se Serbia nuk do të lejojë pogromin e serbëve në Kosovë.
Chollet në dy ditët e fundit edhe gjatë qëndrimit në Kosovë e Serbi e përsëriti se palët duhet të marrin vendime të vështira dhe se zgjidhja afatgjatë kërkon guxim politik.