Shefi i ekipit negociator të Kosovës dhe numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë për Euronews në gjuhën serbe ka folur për propozimin franko-gjerman përmes të cilit po synohet arritja e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi.
Bislimi ka thënë se nëse bëhet një fokus në elementet “de jure”, atëherë i bie që propozimi frank-gjerman mbështet pozicionin e Serbisë se aktualisht s’ka kushtet për arritjen e njohjes reciproke.
“E përsëris, nuk duhet t’i zbulojmë elementet e dokumenteve, por nëse fokusohemi në elementet “de jure”, atëherë mund të themi se dokumenti mbështet qëndrimin e Serbisë se aktualisht nuk ka kushte për njohje reciproke”, ka thënë Bislimi për Euronews i pyetur nëse brenda propozimit është dhe njohja reciproke.
Ai tutje ka thënë se palët janë marrë vesh që të mbajnë sekrete detaje të propozimit, megjithatë thotë se në momentin që do të ketë një lloj progresi atëherë publiku do të njoftohet për gjithçka.
“Tani ju vetë deklaruat se propozimi është sekret. Nuk është sekret sepse përmban diçka që publiku nuk duhet ta dijë dhe ta diskutojë, por është sekret sepse që në fillim ka qenë një marrëveshje për të mbajtur thelbin e marrëveshjes larg syrit të publikut, në mënyrë që të mos cenojmë procedurat vetë. Megjithatë, në momentin që do të bëjmë njëfarë progresi, gjithçka sigurisht që do të njoftohet”, është shprehur Bislimi.
“E përsëris, pavarësisht komenteve të mia se jam dakord me fshehtësinë e thelbit të marrëveshjes, ju insistoni të zbuloni detajet. Duke folur nga perspektiva e Kosovës, ne kemi nënshkruar 33 marrëveshje në Bruksel dhe asnjëherë nuk është tentuar që këto marrëveshje të klasifikohen sipas rëndësisë. Prandaj, ka marrëveshje që janë nënshkruar shumë më herët para marrëveshjes për asociacionin e komunave”.
“Marrëveshja për asociacionin e komunave është nënshkruar më 19 prill 2013, por shumica e marrëveshjeve të tjera janë nënshkruar para kësaj dhe Serbia nuk ka zbatuar asnjërën prej tyre. Prandaj, nëse vonojmë, vonojmë edhe me marrëveshje të tjera. Pra, pse po shohim vetëm një nga shumë? Serbia ende nuk e ka zbatuar marrëveshjen për targa të vitit 2011, e cila është shumë më e rëndësishme për ne. Serbia gjithashtu nuk ka respektuar marrëveshjen për të dhënat kadastrale, e cila daton para marrëveshjes së asociimit, dhe që është shumë më e rëndësishme për ne. Kështu që këtë shqetësim për vonesën e konsideroj artificial. Brukseli ka konstatuar se shumë marrëveshje nuk janë zbatuar, por lista e marrëveshjeve që Serbia nuk i ka zbatuar është dyfish më e gjatë se lista e marrëveshjeve që Kosova nuk i ka respektuar. Prandaj, ku e ka argumentin Serbia që të insistojë që ne nuk kemi zbatuar një marrëveshje, ndërsa ata vetë nuk respektojnë shumicën e marrëveshjeve që kanë nënshkruar. Megjithatë, lista e marrëveshjeve që Serbia nuk i ka zbatuar është dy herë më e gjatë se lista e marrëveshjeve që Kosova nuk i ka respektuar”.