




Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për marrëveshjen me Serbinë dhe planin franko-gjerman, pas takimit me kryetarët e komunave.
Kurti tha sërish se atë e shohin si bazë të mirë dhe se Serbia e ka refuzuar atë. Sipas Kurtit, ajo që duhet të ndodhë për këtë marrëveshje është që të ketë trysni mbi Beogradin nga BE-ja.
“Planin evropian të mbështetur nga Franca dhe Gjermania ne e kemi parë si bazë të mirë për bisedime, ndërsa Serbia e ka refuzuar atë në mbledhjen e Këshillit nacional të sigurisë në Beograd, të mbajtur me 27 tetor 2022, me vendim unanim”, tha Kurti kur u pyet se a është plani franko-gjerman i përafërt për marrëveshje finale.





Kreu i ekzekutivit ka thënë se vizita e këshilltarit të lartë të Departamentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Derek Chollet në Kosovë po vjen në një moment të rëndësishëm ku afrohet edhe njëvjetori i luftës në Ukrainë, ku sipas tij, Serbia jo vetëm që nuk e ka dënuar agresionin rus, por ka bërë tri marrëveshje të rëndësishme me federatën ruse.
Sipas tij, ShBA është partnerë dhe aleatë i Kosovës andaj edhe do të bashkëpunohet ngushtë.
“Vizita e Chollet ndodh në një moment të rëndësishëm ku ngadalë po afrohemi në njëvjetorin e luftës në Ukrainë. Fqinji ynë verior, Serbia jo vetëm që nuk e dënoi agresionin rus, përkundrazi i ka bërë tri marrëveshje të rëndësishme me federatën ruse. ShBA janë edhe partnerë dhe aleatë andaj ne do të bashkëpunojmë ngushtë”, ka vijuar Kurti.





Ndër të tjera, ai ka thënë se përderisa kemi një Serbi abnormale në pah, qëllimi i Kosovës është që të normalizohen raportet me Serbinë duke pasur në fokus marrëveshjen finale ligjërisht të obligueshme që ka në qendër njohjen reciproke.
“Kemi një Serbi abnormale, planin e BE-së me mbështetje nga Franca e Gjermania e kemi konsideruar si bazë të mirë për diskutime ndërkohë që Serbia e ka refuzuar atë. Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të bëhen me një marrëveshje me njohjen reciproke në qendër. Njohjen reciproke e ka kërkuar edhe kancelari gjerman”.