“Formula “Trepça punon Beogradi ndërton” (Trepça radi Beograd gradi)” ka vdekur e kurrë më nuk do të realizohet dëshira e shkëmbimeve të territoreve të presidentit serb, Vuçiqit”.“Ndërrimi territoreve pa realizimin e aspiratës historike të bashkimit kombëtar nuk e garanton të ardhmen.”
Shkëmbimi i territoreve me Serbinë i promovuar vite më parë nga Hashim Thaçi, si president dhe të tjerë, është shuar si projekt.
Kosova kategorikisht është kundër shkëmbimit të territoreve.
Së fundi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shkëmbimi i territoreve me Serbinë ka dështuar si projekt politik, por ideja ekziston ende. Por, pavarësisht kësaj ai e ka quajtur këtë si një projekt për luftë.
“Jam shumë i sigurt se presidenti i Serbisë është nostalgjik për ato kohë. Që do të thotë se projekti politik i shkëmbimit të territoreve ka dështuar. Por, përsëri, ideja s’ka vdekur. Nostalgjia nuk është një ndjenjë me të cilën mund të kemi progres. Shkëmbimi nuk do të ndodhë. Shkëmbimi është një formulë për luftë. Kurrë nuk mund të kesh kufi perfekt etnik”.
Mehazi: Republika e Kosovës ka lindur nga dy fuqitë politike, strategjike e ushtarake botërore, nga SHBA-të dhe NATO-ja
Profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot” thotë se deklarata e Kryeministrit të Kosovës është decidive dhe se përpjekjet e Serbisë për shkëmbim territoresh janë të kota.
“Deklarata e Kryeministrit të Kosovës drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, “se projekti politik i shkëmbimit të territoreve ka dështuar” është formulë politike decidive, dhe se të kota janë përpjekjet sentimentale të Serbisë për ndërrime kufijsh. Edhe sikur të donte kryeministri i Kosovës këtë nuk do të guxonte ta bënte për shkak se do të kishte pasoja të mëdha politike e shtetërore dhe karriera e Kurtit do të përfundonte sikurse e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit. Kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ia bëri me dije presidentit të Serbisë se ideja e tij përmalluese e nostalgjike e kohës së Millosheviçit me formulën: “Trepça punon Beogradi ndërton” (Trepça radi Beograd gradi)” ka vdekur, e kurrë nuk do realizohet dëshira e shkëmbimeve të territoreve të presidentit serb, Vuçiqit”, thotë ai.
Tutje, shton se kushdo që lëvizë kufijtë, të cilët janë edhe në hartën e flamurit të Kosovës, do t’i dënojë gjykata speciale në Hagë.
“Vetë simbolika e flamurit të Kosovës me hartën të vijëzuar rreth e përqark, me kufijtë e palëvizshëm tregon forcën shtetërore se ata që do të lëvizin këta kufij do të dënohen në gjykatën speciale të Hagës, sikurse që i ndodhi ish-presidentit të Kosovës në Hagë.
Republika e Kosovës ka lindur nga dy fuqitë politike, strategjike e ushtarake botërore, nga SHBA-të dhe NATO-ja, dhe politikanët që do devijojnë stemën dhe flamurin e kufijve gjeografik të Kosovës nga SHBA-të dhe NATO-ja do të dënohen e eliminohen nga skena politike.
Albin Kurti e kupton këtë lojë të stemës dhe flamurit të kufijve të Kosovës, të bëra nga fuqitë e mëdha dhe nuk lëviz assesi nga ideja e mbrojtjes së kufijve të Kosovës”, përfundon Mehazi.