Hungaria do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, shkruan Insajderi.
Kështu ka bërë të ditur Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijjarto nga Budapesti.
“Qëndrimi ynë është se do të rrezikonte arritjen e një kompromisi nëse formacione të caktuara evropiane do ta pranonin Kosovën para arritjes së marrëveshjes. Dhe për këtë arsye, Hungaria do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në organet evropiane”, tha Szijarto, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve derisa ishte në konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, shkruan Tanjug përcjell Insajderi.
Ndërkohë për këtë çështje ka folur edhe eurodeputetja, Viola von Cramon, e cila tha se sipas asaj që ka dëgjuar, shtetet e BE-së që s’e njohin Kosovën me shumë gjasë nuk do të marrin pjesë në votim.
“Shumë prej tyre në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës me shumë gjasa nuk do të marrin pjesë në votim ose në rastin më të keq do të votojnë kundër. Kjo është ajo që së paku kam dëgjuar”, ka thënë Cramon në një postim në Twitter të politologut boshnjak Jasmin Mujanoviq, i cili tha se është kureshtar për qëndrimin që do të ketë pesëshja e BE-së, si dhe Bosnja e Ukrainë për çështjen e Kosovës“.
Krerët e shtetit me 14 dhjetor kanë nënshkruar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Aplikimi u nënshkrua nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti.