Makineria e propagandës së Kremlinit ka shkruar për ngjarjet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, ku të thënat e ambasadorit rus në Beograd, Aleksandar Boçan-Harçenko, i paraqet për të vërteta të pakontestueshme derisa fajëson autoritetet e Kosovës dhe forcën paqeruajtëse të NATO’s në Kosovë, KFOR’in.
Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ambasadori rus e quajti “prijësin e radikalëve të Prishtinës” i cili “ndez ndjenja serbofobike” ndërsa refuzimin e KFOR’it për kërkesën e Beogradit për gjoja rikthim të një mijë trupave serbe në Kosovë, e quan “të paturpshme dhe të dorëzuar në kohë Krishtlindjesh”.
Ambasadori rus e paraqiti sikur synohet “dëbimi i serbëve” nga Kosova, teksa situata përshkruhet me ngjyrime propagandistike në tekstin e agjensisë së lajmeve ruse “Tass”.
Kujtojmë se në kohën e barrikadimeve në Veri, zëdhënësja e Minsitrisë së Jashtme Ruse, Maria Zakharova, në konferencë për media bëri të ditur se ambasadori rus në Beograd “ka marrë instruksione konkrete” për të mbështetur Serbinë.
Siç shprehej zëdhënësja, Kremlini “po pret reagimin e Beogradit” për këto instruksione, dhe se ato kanë të bëjnë “me mbështetjen ruse ndaj Serbisë për procesin e normalizimit të marrëdhënieve” Kosovë-Serbi.
“Sa për ambasadën në Beograd, ambasadori rus në Serbi, i cili është në kontakt të ngushtë me lidershipin serb, ka marrë instruksione për hapa konkrete të mbështetjes, të cilat konsistojnë në normalizim dhe propozime për mënyra si të normalizohet situata. Po presim reagimin e Beogradit”, ka thënë Zakharova.
Mu pas deklaratës së Zakharovës, Aleksandar Boçan Harçenko doli me deklaratë se “Federata Ruse i kupton problemet e serbëve të Kosovës sikur të ishin të saj” derisa “ngritjen e gatishmërisë ushtarake të Ushtrisë Serbe deri në gatishmëri të përdorimit të forcës” ai tha se Rusia e mbështet, dhe se një veprim i tillë “korrespodon me realitetin në terren”.
“Njerëzit në Serbi e dinë se gjithherë mund të mbështeten te Rusia, pavarësisht sfidave serioze që ka vendi ynë në kontekstin e ballafaqimit me NATO’n, e cila na u është imponuar”, deklaroi Harçenko.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Federata Ruse vazhdon të mbështesë Serbinë në garantimin e të drejtave ligjore të serbëve në Kosovë, derisa mohoi se Rusia është përfshirë në situatën në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklarim për “Spiegel” këtë muaj tha se forcat paramilitare ruse të quajtura “Wagner” kanë arritur në Serbi derisa shtonte se Beogradi ka 48 baza ushtarake në kufi me Kosovën.
Bashkëpunimi serbo-rus, Kurti e kishte vlerësuar edhe deri të asaj pike të dërgimit të mercenarëve të “Wagner” në Serbi.
Forca “Wagner” ka zhvilluar një reputacion famëkeq në vitet e fundit, pasi është akuzuar për krime lufte në konfliktet e ndryshme në të cilat ka marrë pjesë.