Marketet vendosin flamuj të gabuar mbi produktet serbe, dënohen me gjoba nga 1 mijë deri në 10 mijë euro

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se Inspektorati i Tregut në të paktën 30 raste ka ndëshkuar marketet që kanë vënë etiketa të gabuara me flamuj për prejardhjen e produkteve në raftet e tyre. Gjobat e vëna kanë qenë nga 1,000 deri në 10 mijë euro dhe kryesisht janë vënë mbi produktet serbe.

“Gjatë inspektimeve është duke u konstatuar që në disa raste, shitësit vendosin etiketë mashtruese me flamur të një shteti i cili nuk është flamur i origjinës së produktit. Në rastet më të shpeshta është duke u vendosur etiketa e flamurit të shteteve të Evropës, në produktet që janë me origjinë të shteteve fqinje. Në mbi 30 raste kur Inspektorati i Tregut ka konstatuar që shitësit nuk kanë vendosur etiketën apo kanë bërë ndërrim të etiketës së flamurit të origjinës së produktit, janë ndëshkuar me gjobë në vlerë prej një mijë (1,000) euro deri në dhjetë mijë (10.000) euro si masë ndëshkuese”, thuhet në një njoftim të Ministrisë.

MINT ka ftuar qytetarët-konsumatorë që të jenë të vëmendshëm gjatë blerjeve, dhe për çdo shkelje të të drejtave të konsumatorit, të vazhdojnë të adresojnë ankesat/njoftimet në Inspektoratin e Tregut, përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

“Inspektimet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve dhe muajve në vazhdim dhe për çdo keqpërdorim do të vazhdojnë të merren masa sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në fund. /GazetaExpress