Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka shkruar një status, në të cilin ka kritikuar shoqërinë e Kosovës.
Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar aktivistët politikë, mjekët, mësimdhënësit dhe profesorët universitarë në Kosovë.
“A është e mundur që tashmë kanë vdekur njerëzit që e kanë dashur këtë vend?! Ku kanë mbetur gjithë ata aktivistë politikë, që punonin natë e ditë përballë rrezikut nga pushtuesi? Ku kanë mbetur gjithë ata mjekë që shkrinin veten në ndihmë të të sëmurëve? Ku kanë mbetur gjithë ata mësimdhënës, që punonin edhe nëpër garazha për ta mbajtur në këmbë shkollën shqipe”, ka shkruar Krasniqi.
Me tutje, ai ka thënë se vendi nuk e ka merituar poshtërimin edhe nga shqiptarët.
“Ku kanë mbetur gjithë ata bamirës që ndihmonin të varfërit anekënd Kosovës? Nga i erdhi vendit kjo murtajë e re e profiterëve të harbuar, që paralizojnë institucionet, bëjnë tregëti me shëndetin e njerëzve, shesin nota dhe ia marrin fukarasë frymën? Kosova e poshtëruar aq keq nga pushtuesi, nuk e ka merituar këtë poshtërim të ri nga njerëzit e vet”, ka shkruar ai më tej.