Sektori i arsimit do të ketë punë prapë me mësimdhënësit, nëse jo për ligjin e pagave, është kontrata kolektive që po e mundon Sindikatën e Arsimit.
Për ta shkëputja e saj ka qenë e paligjshme, ndërsa ministrja e Arsimit, mbetet e bindur se kontrata kolektive ka qenë e paligjshme. Nga shoqëria civile thonë se arsimi duhet të trajtohet me kujdes, por kërkojnë më shumë përgjegjësi në punë nga mësimdhënësit.
Përpos grevës në arsim, shkëputja e kontratës kolektive nxiti reagime të mëdha të sindikatës së arsimit, e cila e vlerëson si hakmarrje të ministres Arbërie Nagavci ndaj SBASHK-ut. Në këtë sindikatë thonë se shkëputja e kësaj kontrate është e njëanshme.
“Duke u bazuar në këtë bazë ligjore, ne deklarojmë që kontrata kolektive e SBASHK-ut me ministrinë e arsimit, do të thotë, kontratë sektoriale është në fuqi dhe do të vazhdoj të zbatohet deri sa ka afatin e vet ligjor të paraparë me këtë ligj. Nëse do të futen në ndryshime ligjore ose në ndryshime tjera, ata ne nuk mund ta dimë pa pasur lëvizje në këtë aspekt, mirëpo bazuar në bazën ligjore në Ligjin e Punës në nenin 90, kontrata sektoriale e arsimit është në fuqi dhe do të vazhdoj të zbatohet”, tha Bledor Shatri, zyrtar ligjor në SBASHK, raporton transmetuesi publik.
Por, ministrja Nagavci thotë se kontrata kolektive ka qenë e jashtëligjshme.
“Sa i për ketë kontratës kolektive nuk kemi opinion ligjor që shkëputja është e jashtëligjshme përkundrazi vetë kontrata nuk ka asnjë bazë ligjore duke filluar që prej preambulës dhe unë konsideroj që është tepër gabim dhe uroj dhe besoj që nuk do të përsëritet asnjë herë në të ardhmen që në kohë të fushatave zgjedhore të keqpërdoren mundësit e personave që janë në pozitë për qëllime që nuk mund të realizohen”, u shpreh Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit.
Në Institutin “Edguard” thonë se vetëm gjykata mund ta japë vendimin nëse kontrata kolektive ka qenë e ligjshme.
Ky institut pret që viti 2023 të jetë më produktiv në arsim dhe të mos përsëriten problemet e vitit që e lamë pas.
“Mësimdhënësit tanë padyshim meritojnë një pagë të dinjitetshme dhe këtë e garanton Ligji për Paga mirëpo më e mira është që ky Ligj për Paga po ashtu garanton një rritje progresive në pagë karshi performancës dhe licensimit të mësimdhënësve…”, tha Rinor Qehaja, Instituti Edguard.
Drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, në konferencën e fundvitit thanë se e kanë rritur buxhetin për arsimin, ndërsa paralajmëruan se edukimi parafillor do të jetë i obligueshëm dhe do të nisë nga shtatori i vitit 2023.