Gazeta Sinjali raportoi të mërkurën për arrestimin e një biznesmeni në Gjilan, i cili po dyshohet se ka përfituar 800 mijë euro duke mashtruar me shitjen e disa parcelave me shtëpi banimi në kompleksin “Planeti Rezidencë” në Kmetovc të Gjilanit. Ai po dyshohet se përmes fakteve të rrema ua ka marrë viktimave paratë për shitjen e parcelave të cilat veçse ishin shitur kohë më parë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije ekskluzivisht për Sinjalin se bëhet fjalë për Muhamed Shabanin, 42-vjeçar, i cili ka qenë objekt hetimi nën dyshimet se është përfshirë në këtë rast mashtrimi dhe tashmw ndodhet nwn maswn e ndalimit policor.
Kë e mashtroi dhe cilat janë detajet e rastit?
Siç mëson Sinjali, i dyshuari me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka mashtruar një çift, të cilëve ua ka marrë paratë gjoja se për shitjen e disa parcelave me shtëpi banimi
Sipas informacioneve të para, dy palët kanë arritur marrëveshje, ashtu që në bazë të kontratës së shitblerjes, viktimat kanë blerë tetë parcela me shtëpi banimi në kompleksin “Planeti Rezidencë”, në Kmetovc të Gjilanit, në vlerën prej 800 mijë frangave zvicerane. Por i dyshuari arriti t’i vë në lajthitje viktimat, pasi në realitet bëhej fjalë vetëm për shtatë parcela me shtëpi banimi, 6 prej të cilave kanë qenë të shitura dhe në të njëjtat kanë qenë duke jetuar persona të caktuar.
Kështu i njëjti iu ka shkaktuar dëm të madh viktimave, duke krijuar dobi pasurore për veten, kundërligjshëm. Gjithë ky rast u zbulua pas denoncimit të viktimave, që dëshmuan para hetuesve policorë se si kanë rënë pre e mashtrimit.
Të njëjtat burimet thonë se i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, teksa tashmë janë siguruar edhe dokumente të ndryshme, si kontrata e autorizime, që do të shfrytëzohen si dëshmi në procedurë kundër të dyshuarit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.