




Një ushtar irlandez i KFOR-it shkroi gjatë ditës së djeshme në Network Prishtina duke i kërkuar dy përkthyes që kishin shërbyer me të më 1999 pas hyrjes në Prishtinë. Por, ai si duket nuk e ka pritur atë që do të ndodhte me postimin e tij.
Jonathan Hanna që në moshën 19 vjeçare si anëtar i KFOR-it ishte futur në Prishtinë, po kërkonte ta dinte nëse i njihnim emrat e dy përkthyesve.
Ai shkroi si pa të keq, ndoshta pa e kuptuar mirë se lufta dhe liria ende ishin fjalë të rënda e me peshë në Kosovë.
Media po ashtu e botoi në seksionin e Blogut kërkesën e tij, për ta rritur gjasën që ai të gjente atë që po kërkonte.





Por, në grupin Network Prishtina ai i mori deri tash 470 reagime. 414 ishin pëlqime të statusit, 53 ishin zemra dhe 5 të tjera reagime me figurë dashurie. Po ashtu, aty ishin edhe dhjetëra e dhjetëra komente falënderuese për shërbimin e tij.
Hanna e postoi një fotografi ku duket i përlotur dhe thotë këto fjalë: “Zot, më mbytët të gjithë ju. Unë thjesht iu bashkova ushtrisë për pak argëtim dhe që të hiqesha nga rrugët.”
Ndërkohë, atij i është lajmëruar gruaja e Sokol Morinës – njërit prej përkthyesve që po e kërkonte – duke i thënë se do ta kontaktonte së shpejti.