




Këshilltarja e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Rada Trajkoviq, i ka ngritur tri pyetje për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Këto pyetje Trajkoviq i ka bërë rreth situatës në veri të Kosovës.
“1. Pse ‘Lista Serbe u bë naive për katër baza’ në veri? 2. A nuk ishin të vetëdijshëm rreth “përballjes së mundshme katastrofale me NATO-n” përpara se të nxisnim njerëzit në barrikada dhe të ngrinim gatishmërinë luftarake? 3. Cili ishte në fakt qëllimi i barrikadave dhe interesi (privat) i kujt ishte?”, ka pyetur Trajkoviq në Twitter.





Trajkoviq dhe vajza e saj ishin ndaluar disa herë nga autoritetet e Beogradit.
Në mesin e dhjetorit, Rada Trajkoviq u ndalua rrugës për në Kosovë ku e priste në takim ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Akoma më gjatë u ndalua gjatë rikthimit për në Serbi.
Ajo ishte transportuar nga kufiri në spitalin e Prokuplës. Autoritetet shtetërore nuk dhanë shpjegim zyrtar për këtë ndalim, ndërsa Trajkoviq, e cila me profesion është mjeke, publikoi foto të të nxirave në trup, duke pretenduar se ato ishin pasojë e qëndrimit gati 24 orësh në kufi me Merdarën.