Adem Grabovci i është rikthyer politikës. Ai është shprehur kritikë me Qeverinë e Kosovës, duke thënë se po e dobëson pozicionin e Kosovës në raport me Serbinë. Lirimi i Pantiqit në arrest shtëpiak dhe largimi i barrikadave në veri, sipas tij, janë bërë me marrëveshje politike në mes Kosovës dhe Serbisë. Grabovci ka pasur kritika edhe për PDK-në.
Ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka shprehur dyshime të mëdha rreth ujdisë për lirimin në arrest shtëpiak të ish-policit serb Dejan Pantiq dhe largimin e barrikadave në veri.
Ai ka thënë se për këto dy çështje Qeveria e Kosovës po i mashtron qytetarët e vendit, duke ua fshehur të vërtetën. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Nacionale”, Grabovci ka thënë se për këtë çështje Qeveria e Kosovës ka bërë marrëveshje me Serbinë.
Ish-deputeti i PDK-së ka bërë me dije se deklarata e përbashkët e BE-së dhe ShBA-së ka treguar të vërtetën.
“Unë e kam parë një qyqarllak të kryeministrit të vendit, presidentes së vendit dhe një pafytyrësi të tyre, kur botërisht para qytetarëve të Kosovën po bëjnë përpjekje ta fshehin të vërtetën. Por, duke iu falënderuar BE-së dhe ShBA-së që ata e thanë hapur se kjo ishte një marrëveshje politike që e ka bërë Albin Kurti dhe përfaqësuesit tonë institucional me Serbinë. Mbi bazën e një marrëveshje është liruar ish-polici dhe janë larguar barrikadat”, ka thënë Grabovci.
Ai ka vlerësuar se veprimet që i ka bërë kryeministri Kurti në veri janë aventura të papërgjegjshme të tij.
“Ajo është vetëm një aventurë e një njeriu të papërgjegjshëm, një njeriu që i mungon guximi, që është kryeministri. Institucioni i kryeministrit për mua është i shenjtë, por ai me veprimet e veta, me punën e vet, me deklaratat e veta po e shpërfaq vetveten se si i mungojnë të gjitha. Ai ka vetëm një gjë, demagogjinë, mashtrimin. Sepse nuk po dua të them rrënën sepse po tingëllon ndoshta vrazhdë”, është shprehur Grabovci.
Ai ka thënë se me këto veprime shefi i qeverisë po mundohet të bëhet një lloj heroi.
“Kush ka pasur vullnet dhe guxim, ka pasur mundësin ta dëshmoj vetveten. Ata frikacak që janë dorëzuar si leprat në atë kohë dhe nuk iu ka përgjigjur kërkesës se kohës. Ndërsa, sot Albin Kurti po bën përpjeke që ta luaj rolin e heroit. Por, unë po i them nga këtu Albin Kurtit dhe çdo qytetari të Kosovës se koha e heroizmave ka qenë dhe ka shkuar. Ajo nuk mund të përsëritet”, është shprehur ai, duke shtuar se Kurti mund ta bëhet hero duke bërë punë të mira për vendin.
“Albin Kurti mund ta bëj veten hero duke krijuar ndonjë vepër për qytetarët e vendit, për të përmbyll procesin e bisedimeve suksesshëm ashtu qysh iu ka premtuar qytetarëve të Kosovës, se dialogu do të përfundoj me njohjen reciproke në qendër”, ka thënë ai.
Sipas tij, me këto veprime Kurti ka dobësuar pozicionin e Kosovës në bisedimet e dialogut.
“Sot pozicioni i Kosovës është shumë më i dobët se sa ishte dje. Sot Kosova është në gjendjen e para 20 viteve. Çdo gjë që është ndërtuar po tentohet të degradohet. Ky është përcaktimi i Albin Kurtit sepse ka deklaruar”, ka thënë Grabovci.
Ish-deputeti i PDK-së, ka thënë se Kurti nuk do të mbahet mend për asgjë në historinë e Kosovës.
“Dikush ka për mision ndërtimin e vendit e dikush ka mision për të shkatërruar vendin. Prandaj, Albin Kurti në historinë e Kosovës do të njihet si njeriu më i dështuar, i cili nuk do të identifikohet me asnjë sukses, me asnjë vepër që ka krijuar deri metash. Uroj që në të ardhëm t’i thërras mendjes, t’i ushtojë përgjegjësit e veta, t’i përgjigjet kërkesave të kohës dhe të krijojë ndonjë vepër me të cilën do të identifikohet”, ka thënë ai.