Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, thotë se barrikadat në veri të vendit nuk do të largoheshin po të mos kishte një marrëveshje politike në mes dy shteteve.
“Ato barikada nuk do të hiqeshin po të mos kishte marrëveshje politike, e ndërmjetësuar me Serbinë”, ka thënë Tahiri.
Kjo marrëveshje, sipas ish-kryediplomates së Kosovës, i paraprinë asaj finales.
Ajo është shprehur e bindur se kryeministri Albin Kurti veç se e ka pranuar Asociacionin.
“Jam e bindur që e ka pranuar Asociacionin, si një pjesë e procesit të marrëveshjes finale që natyrisht do të negociohet”, ka deklaruar Tahiri për T7.
Ndryshe, Kurti tha se nuk ka pasur garanci për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në mënyrë që të hiqen barrikadat në veri.
“Nuk ka garanci të tilla nga Qeveria e Kosovës. Asociacioni i komunave u bë asociacion i barrikadave. Ata i donë komunat që t’i bëjnë si barrikada. Ashtu siç i bënë 16 barrikada bashkë, duan që t’i bëjnë 10 komuna bashkë”, tha ai për agjencinë e lajmeve KosovaPress.
Ndërkaq, Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka bërë të qartë se ShBA kërkon që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, të bëhet patjetër.
Hovenier ka theksuar se në këtë drejtim nuk ka opsion, pasi tha se Asociacioni është një marrëveshje ligjërisht e obligueshme, dhe ky qëndrim i ShBA’së nuk do ndryshojë, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
“Mbetet një qëndrim i qartë politik i SHBA-së. Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe s’ka opsion. Është një marrëveshje ligjërisht e obligueshme të cilën Kosova e ka marrë përsipër. Një marrëveshje ligjërisht e obligueshme që është konfirmuar nga Kuvendi i Kosovës. Shtetet nuk mund të vendosin se çfarë marrëveshje ligjërisht të obligueshme e implementojnë apo s’e implementojnë. Ato janë marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Kosova është një shtet që ndjek zbatimin e Ligjit”, tha ambasadori në një takim me gazetarë.
Hovenier tha se Asociacioni është edhe në interes të Kosovës.
Sipas tij, ky kusht përshpejton normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kështu që pritja jonë është që Kosova e implementon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ne gjithashtu besojmë fuqishëm që është edhe në interesin e Kosovës që ta bëjë një gjë të tillë. Ky është një element i rëndësishëm kësaj përpjekjes së gjerë për të përshpejtuar normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por pa marrë parasysh Serbinë, kjo është një gjë shumë e rëndësishme për Kosovën. Serbët e Kosovës janë qytetarë të Kosovës, banorë të Kosovës, ata gëzojnë të drejtat në Kosovë, ata duhet të marrin të drejtat dhe mbrojtjen nga shtetit sikur të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.